Legalizimet, formula e plotë se si mund të paguhet fatura
Aluizni Tiranë ka publikuar dje listën me 412 emrat e qytetarëve të cilët kanë gati lejen e legalizimit për ta tërhequr. Përfituesit duhet të shkojë të tërheqin lejen pranë drejtorisë veriore të në kryeqytet.
Në vendimin e marrë nga qeveria për çmimin e shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi (përfshirë dhe shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje), është përcaktuar që fatura për ALUIZNI-in të llogaritet si përqindje mbi vlerën e pronës, sipas llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Dita sjell të plotë formulën se si llogaritet fatura nga ALUIZNI për ndërtimet pa leje.
Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, çmimi i shitjes për një metër katror është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse. Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territor i njësive administrative fshat, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 400 lekë apo më i madh se 1 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi.
Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit të njësive administrative qytet, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 500 lekë apo më i madh se 2 000 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi.
Për shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje, me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 1 000 lekë apo më i madh se 3 000 (tre mijë) lekë, çmimi që do të aplikohet për sipërfaqen përkatëse do të jetë në këto vlera kufi.
Për ndërtimet pa leje me funksion të përzier (banim dhe social-ekonomik), çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore llogaritet në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje, që shfrytëzohet për secilin nga funksionet e mëposhtme:
- a) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për funksion social-ekonomik, shitet sipas vlerës së pronës, të llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
- b) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për banim, shitet sipas çmimit të përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi.
Kush përfiton falje pagese
Falje të pagesës do të përfitojnë poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik. Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë në përbërje familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik apo me statusin e të verbrit, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50% nga vlera e llogaritur.
Për poseduesit e ndërtimit pa leje, që kanë statusin e invalidit të punës ose që kanë bashkëshorte me këtë status, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare, detyrimi financiar përgjysmohet . Ndërsa poseduesit e ndërtimeve pa leje, që janë subjekte të ndihmës ekonomike, përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës.
Zbardhet VKM
Ndërtimet pa leje, rregullat e reja për marrjen e tapisë
Qeveria ka përcaktuar procedurat e reja të regjistrimit të lejes së legalizimit ose sicc njihet ndryshe marrja e hipotekës. Sipas këtij vendimi, regjistruesi, me paraqitjen e kërkesës, kryen brenda 10 ditësh regjistrimin e lejes së legalizimit, në përputhje me nenin 49 të ligjit nr.33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
Përcaktimi nëse pasuria (objekti i legalizuar) është individuale, familjare apo në bashkëpronësi (I/F/B) kryhet nga ZVRPP mbi bazën e lejes së legalizimit dhe çertifikatës së gjendjes familiare, që përcillet nga ALUIZNI.
Procedurat e hollësishme të ofrimit nga ZVRPP të shërbimit të regjistrimit dhe të lëshimit të çertifikatës së pasurisë së paluajtshme të legalizuar, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Kryeregjistruesit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.
Leja e legalizimit, e miratuar pa marrëdhënie pronësie me parcelën ndërtimore (truallin), regjistrohet nga ZVRPP në një kartelë tjetër pasurie nga ajo e truallit, duke bërë shënimet përkatëse në kartelë. Heqja e shënimeve në kartelë dhe regjistrimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore, për lejen e regjistruar do të kryhet nga ZVRPP menjëherë, me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kalimin e të drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe kompensimin e pronarëve.
Gjithashtu, ZVRPP do të bëjë edhe regjistrimin e hipotekës ligjore. Regjistrimi i hipotekës ligjore bëhet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së legalizuar. Për ndërtimet që posedohen nga më shumë se një subjekt, në rast mospagese të pjesës takuese të detyrimit për parcelën ndërtimore, hipoteka ligjore vendoset për pjesën takuese të pasurisë së legalizuar.Fshirja e hipotekës ligjore do të kryhet nga ZVRPP jo më vonë se 5 ditë, nga data e njoftimit të ALUIZNI-t për shlyerjen e pagesave, njoftim që shoqërohet nga dokumentacioni provues.
Kur aplikuesi është pronar i truallit
Leja e legalizimit, e lëshuar për ndërtime për të cilat subjekti disponon të drejtën e pronësisë mbi parcelën ndërtimore (truallin), do të regjistrohet nga ZVRPP në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Personat e interesuar që do të përfitojnë lejen e legalizimit, do të duhet të dorëzojnë pranë ALUIZNI-t dokumentin që provon regjimin e veçantë martesor, i cili përcillet pranë ZVRPP. Në të kundërt, regjistrimi kryhet sipas regjimit të bashkësisë ligjore.
Subjektet përfitues të lejeve të legalizimit, që konfirmohet se kanë shlyer pagesat e furnizimit me energji elektrike, gjatë një viti nga momenti i njoftimit të pagesës së parcelës ndërtimore, përfitojnë faljen e 10% të vlerës. Për subjektet debitor, ALUIZNI i kërkon ZVRPP vendosjen e kufizimit mbi pasurinë e legalizuar.
Për shtesat në pallate ekzistuese
Për regjistrimin e shtesës informale në lartësi, në pallatet me leje, ZVRPP procedon sipas këtij vendimi. Për këtë qëllim, ZVRPP do të kryejë shënimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme për rishpërndarjen e kuotave të pjesëmarrjes mbi truallin e ndërtesës ekzistuese, si dhe mbi hapësirën e përbashkët (në bashkëpronësi të detyrueshme).
Leja e legalizimit, e lëshuar për projeksionin e soletës ose të volumit të mbështetur vetëm në një krah (konsolës), do të regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
Dokumentacioni
Kërkesa për regjistrim, paraqitet në ZVRPP nga ALUIZNI, brenda 5 ditëve nga data e miratimit të lejes së legalizimit dhe shoqërohet nga dokumentacioni i mëposhtëm:
- a) Leje legalizimi;
- b) GENPLAN i pasurisë së legalizuar, si fragment i hartës vektoriale të bllokut kadastral;
- c) Planimetri të ndërtimit informal (për çdo kat);
ç) Kopja e Çertifikatës së gjendjes familjare të poseduesit, që disponon ALUIZNI, nga momenti i aplikimit për legalizim;