Politika

Leja e 16-katëshit, e firmosur nga Basha, Peza: Politikani më i pasinqertë

Debati mbi 16-katëshin në mes të kryeqytetit, që ditën e martë shkaktoi reagime dhe kundërreagime mes Erion Veliajt, Taulant Ballës dhe Enno Bozdos, ka vijuar këtë të mërkurë me daljen në një konferencë për shtyp nga ana e Alfred Pezës, i cili publikoi edhe lejen e ndërtimit që mban firmën e ish-kryebashkiakut Basha.

“Qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë po presin që Lulzim Basha të dalë e të sqarojë lejen skandaloze të ndërtimit, që ai ka firmosur për monstrën e betonit në qendër të kryeqytetit”.

Duke i drejtuar kryetarit të PD-së disa pyetje në emër të qytetarëve shqiptarë, Alfred Peza kërkoi llogari për disa nga veprimet e fundit të Bashës si kryebashkiak i Tiranës, përfshi zgjatjen e lejes me dy vite të një pallati në “Bllok”, firmosjen e lejes për pallatin me të cilin është në gjyq Ambasada zvicerane, duke e akuzuar atë se ka ndjekur gjurmët e “babait të tij” Sali Berisha në firmosjen e punëve të pista pasi kishin mbaruar zgjedhjet dhe kundërshtarët kishin uruar njëri-tjetrin.

“Me këtë vendim, Lulzim Basha tregoi edhe njëherë se është politikani më i pasinqertë i këtij vendi, se filozofia e tij si kryebashkiak i Tiranës ka qenë ajo e mosbërjes së asnjë pune për qytetarët dhe përfundimin në errësirë të të gjitha punëve të tij të dyshimta. Ai do të mbahet mend se në 4 vite nuk mbolli asnjë pemë dhe nuk vendosi asnjë tullë. Më shumë se kaq, Basha do të mbahet mend si i vetmi kryebashkiak në botë, që i dha leje vetes së vet për të ndërtuar një kat shtesë mbi pallatin 12-katësh ku jeton, dhe që firmosi 6 ditë para se të largohej nga zyra lejen për monstrën më të shëmtuar të betonit, që është ende në këmbë në Tiranë”, tha Peza.

Peza shtoi më tej se, përmes nxjerrjes së ish-zëvendësit të tij Enno Bozdo, Basha tregoi se e gjithë karriera e tij politike është ngritur mbi gënjeshtrën, mbi mungesën e sinqeritetit dhe mbi filozofinë e antiligjit dhe antishtetit. Këtë e përforcoi duke treguar të zezë mbi të bardhë, lejen skandaloze që mban firmën e Lulzim Bashës, të cilin e quajti si modeli që ai i ka sjellë vendit sa herë që qeveris. Lejen, ai tha se do t’ua shpërndajë çdo qytetari, për ta pasur si certifikatë politike për të vetmen alternativë që ofron kryetari në detyrë i PD-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button