Opinion

Leksioni që na vjen nga Mongolia e largët

Nga PETRO DHIMITRI

Të martën, më 2 qershor, 2025, kryeministri i Mongolisë Luvsannamsrain Oyun-Erdene dha dorëheqjen. Nuk pati mbështetjen e nevojshme për mocionin e mosbesimit me afro 20 vota më pak nga sa duheshin.
Pse ndodhi kjo e papritur në Mongoli? Sepse djali i tij bënte shpenzime ekstravagante duke blerë në dyqanet më të shtrenjta si PRADA, etj. Edhe kjo ishte një shprehje e dukshme e një jete luksoze të familjes së tij që i shumë kapërcente të ardhurat kryeministrit. Shenjë e qartë e korrupsionit të njeriut që populli i kishte dhënë votën për ta qeverisur.

Ç’ndodhi pas këtij konstatimi? Populli nuk priti që partitë gjysmë të përgjumura të nisnin diskutimet pambarim. Jo. Për dy javë rresht u ngritën protesta të fuqishme. Kërkonin largimin e tij. Në këto kushte, mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit ishte e vetmja rrugëzgjidhje për të dalë nga kriza.
Zgjidhje shumë efikase. Zgjidhje e shpejtë dhe precize për të ndëshkuar korrupsionin e njëshave.
Po në Shqipëri si reagon populli ndaj korrupsionit galopant të PD-së dhe PS-së, dy partive që na kanë drejtuar para rënies së famëkeqes PPSH? Ka pasur vetëm protesta nga secila parti. Në asnjë rast nuk kemi parë një lëvizje masive popullore që t’i vërë me shpatulla për muri politikanët hajdutë.

Faktet janë pambarim. Heshtëm kur PD i hidhte naftë kontrabandë Milosheviçit, duke thyer Embargon Ndërkombëtar. Heshtëm kur u hapën depot e armëve. Heshtëm kur deshi nisi lufta Veri–Jug. Heshtëm dhe vazhdojmë të heshtim për vrasjet e 21 Janarit dhe të Gërdecit. Heshtëm kur ish-presidentët Meta dhe Berisha ndërtuan supervilat luksoze në Lalëz. Oh, sa shumë heshtje! Nuk kanë qenë vetëm për bërmat e PD-së. Vazhdonim të heshtim edhe për korrupsionin e PS-së, që drejton Edi Rama. Jemi kënaqur vetëm me përgjigjen që secili përgjigjet vetë para drejtësisë. Kemi heshtur dhe vazhdojmë të heshtim. Na u qep goja kur zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj doli hajdut me cizme. Po ashtu edhe tre ministra të tjerë të zotit Rama.

Vetëm PD bëri protesta kur 5 drejtorët e Bashkisë së Tiranës u arrestuan për korrupsion. Populli heshti. Edhe më keq. Vazhdonim të heshtnim edhe pse Erion Veliaj ishte prangosur për korrupsion. Përgjegjësia kryesore është e vetë politikanëve të korruptuar, ama edhe partia nuk duhet ta kalojë lehtë, pa iu drejtuar hapur popullit për përgjegjësinë e saj. Rama është fajtor që u ka besuar poste me rëndësi hajdutëve me kollare. Populli, jo vetëm PD që gjithashtu ka heshtur për korrupsionin e politikanëve të vet dhe të kryetarit të saj Sali Berisha, duhej të ngrihej në demonstrata paqësore, paqësore dhe vetëm paqësore që këta njerëz të lënë postet drejtuese. Ky është hapi i parë i domosdoshëm. Hapi i dytë i takon drejtësisë. Deri tani po e bën detyrën me kufizime. Nuk di pse ka kaq shumë frikë nga njëshat, edhe kur ato nuk janë më në pushtet?!
Po të ishte ngritur populli në demonstrata, qeveria Rama do të kishte rënë. Do të kishim patur zgjedhje të parakohshme. Ngaqë kemi hyrë prej vitesh në një vorbull ku drejtimin e timonit e kanë alternuar vetëm PD dhe PS, populli do të votonte për atë parti që mendon se ka më pak hajdutë?! Kjo i takon popullit. Jo kryetarëve të hajdutëve që e kanë harruar fare opsionin DORËHEQJE.

Kjo heshtje mbarëpopullore është edhe më e theksuar brenda vetë partive. Edhe shqiptarët mediokër e kanë kuptuar se me Sali Berishën kryetar të PD-së, kjo parti nuk mund të vijë as pas katër vitesh në pushtet. Nga ballafaqimi Berishë–Rama ose Berishë–PS, në mënyrë seriale fitorja ka për t’i takuar PS-së. Jo se nuk ka të meta dhe hajdutë, po, në krahasim me Berishën, me vulë SHBA–ANGLI për korrupsion madhor, janë më të pranueshëm. Ata kanë për të vazhduar ta heqin vallen vënë. Kur është kjo gjendje skandaloze brenda një partie, pse heshtin anëtarët e shumtë të saj? Mirë sahanlëpirësat e Berishës, po demokratët e ndershëm pse heshtin e nuk ngrihen në protesta që kryetari i tyre të japë dorëheqjen. Ai nuk mund të ngrihet mbi statutin që e përcakton qartë se duhet ta lëshojë karrigen. Ka gjetur justifikimin: NA VODHËN ZGJEDHJET. Është si refrën i këngëve që përsëritet sa herë populli nuk i voton. Ky justifikim është çelësi i artë i uzurpimit të karriges. Demokratët e ndershëm e gëlltisin këtë orvë deri sa heshtin dhe vetëm heshtin.
Deri kur një njeri që ishte dhe mbeti komunist, që ka asfiksuar Partinë Demokratike, shpresën e Shqipërisë, që ka një çerek shekulli kryetar, do të vazhdojë të mbetet pengesa kryesore që PD-ja të mos vijë në pushtet?!

Leksioni i Mongolisë së largët për mënyrën se si atje u detyrua të japë dorëheqjen kryeministri i korruptuar (pa seanca gjyqësore) është një ndihmesë brilante për anëtarët e të gjitha partive si dhe për popullin shqiptar që të zgjohet nga gjumi letargjik. Në mënyrë krejt paqësore të kërkojë me ngulm largimin e kujtdo politikani të korruptuar kur faktet nuk bërtasin, por ulërijnë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button