“Lëngu i jetës”, çfarë duhet të dimë rreth gjakut njerëzor
Është lëngu i jetës. Shpesh simbol i kundërt, ai i vdekjes. I ruhemi të gjithë e frikësohemi kur e shohim të kullojë e derdhet nga ndonjë plagë. Për të ka shumë legjenda, e me të është shkruar historia njerëzore. Por çfarë është ai në të vërtetë, përtej legjendave e sagave. Si trajtohet ai në aspektin thjesht shkencor e mjekësor.
Cilat janë grupet e tij dhe shumë aspekte të tjera që lidhen me të po mundohemi t’i shpjegojmë sot në shkrimin tonë, i cili tenton të jetë sa më pranë kuptimshmërisë praktike të lexuesit tonë. Gjakun pra, mund ta konsiderojmë si mediumin nëpërmjet të cilit qelizat aktive dhe indet e trupit mbahen në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Kështu ndodh që substancat ushqyese, përfshirë këtu edhe oksigjenin, kalojnë nëpërmjet gjakut; materialet e padobishme, përfshirë këtu acidin karbonik, kalojnë nga indet në gjak – e kjo lidhje e vazhdueshme furnizon indet me energji dhe lejon daljen e materialeve të padobishme.
Sekrecionet e shumë gjëndrave të trupit human kalojnë nëpërmjet gjakut në indet e ndryshme, që janë të destinuara të kenë një ndikim real. Gjithashtu, qarkullimi i gjakut luan rol themelor në mbajtjen konstante të temperaturës së trupit në pjesë të ndryshme të tij. Për sa i përket ngjyrës, gjaku shfaqet në ngjyrë të kuqe të ndezur, për sa i përket formës e përmbajtjes, është viskoz, opak, alkalin (në reaksion) e me një erë disi të dobët, por karakteristike. Përbëhet nga një likuid transparent, ngjyrë të verdhë të hapur – i quajtur PLAZMA – ose “liquor sanguinis”, në të cilin le të themi se “pluskojnë” një numër i pafund qelizash apo trupëzash; qelizat e bardha e të kuqe e platelet e gjakut.
Eritrocitet apo rruazat e kuqe
Janë disqe rrethore të bikonkave, në ngjyrë të verdhë, por kur shihen në grup janë në ngjyrë të kuqe. Mesatarisht kemi rreth 5000000 eritrocite për një milimetër kub. Këto janë dhe qelizat që përmbajnë hemoglobinën, e cila është një komponent i hekurit, me një farë afiniteti për oksigjenin. Pra, bazuar në aftësinë e hemoglobinës për të “thithur” e transportuar oksigjenin nga mushkëritë drejt indeve, gjaku bëhet një nga komponentët bazë të trupit njerëzor. Çdo qelizë e kuqe ka një jetëgjatësi të shkurtër. Pra, kur lodhet, le të themi kështu, trupi i shkatërron ato nëpërmjet mëlçisë apo shpretkës dhe i sekreton.
Leukocitet ose rruazat e bardha
Janë ato qeliza pa ngjyrë, me formë e madhësi të ndryshme. Më të mëdha se qelizat e kuqe, por më të pakta në numër (raporti është 1 me 500). Gjithashtu ato kanë dhe një veçori tjetër: lëvizjen, e nëpërmjet kësaj, kalimin nga muret e kapilarëve, në lëngjet e trupit. “Invazioni” masiv nga mikroorganizmat sjell një rritje të shumtë të korpuskulëve të bardhë (leukocitozis), të cilët tentojnë të mblidhen te vendi i infeksionit, duke rrethuar e shkatërruar “invadorët” e huaj. Ky proces quhet “fagocitozë” dhe përbën njërin ndër mekanizmat më të rëndësishëm, nëpërmjet të cilit trupi human mbrohet kundrejt infeksioneve. Rruazat e bardha rrjedhin nga palca e kockave dhe nga gjëndrat limfatike, e këto ndahen në tipa të ndryshme, sipas funksionit që kanë.
Plazma, lëngu ushqyes
Një lëng në të cilin trupat e lartpërmendur “notojnë” është solucioni me vlera ushqyese dhe shërben për jashtëqitjen e produkteve të panevojshme. Plazma mban në formë solucionesh proteina, yndyra, sheqerna, urinë, kripëra (më të njohurat janë: kloruri i potasit dhe bikarbonatet, po ashtu dhe gazra-oksigjen, acidin karbonik dhe nitrogjenin). Një nga proteinat e rëndësishme në plazmë quhet “fibrinogjen”. Ky gjendet në trajtë solucioni, por në rastin e humbjes së gjakut, pra e thënë ndryshe, atë të hemorragjisë, ai alternohet dhe merr një formë tjetër të ashtuquajtur “fibrinë”. Si rezultat i këtij procesi, qelizat “ngatërrohen” e ngjiten me njëra-tjetrën, duke formuartrombin, i cili në fillim është i butë e më pas nis e forcohet plotësisht (ky proces njihet me emrin koagulimi i gjakut dhe është një mekanizëm natyror i mbrojtjes sonë ndaj hemorragjive), pra një metodë për të parandaluar humbjen e gjakut, duke mbyllur enën e dëmtuar. Sasia e plotë e gjakut te një njeri ndryshon nga faktorë e individë të ndryshëm, por ka formula specifike për ta llogaritur atë me afërsi të kënaqshme, megjithatë nuk është gabim të themi se një person i rritur, i shëndetshëm ka rreth 5-6 litra gjak.
Grupet e gjakut
Ka shumë gjasa të besojmë se njerëzit në të shkuarën të kenë menduar se vdekja nga hemorragjia mund të parandalohej duke dhënë gjak nga një person te tjetri. Vështirësitë teknike e mungesa e njohurive e kanë penguar këtë praktikë të kalonte asokohe përtej kufijve të spekulimit. Megjithatë, Richard Lower, më 1666-n tentoi të transfuzonte (kalimin e gjakut nga një individ te tjetri) gjakun e qengjit te një pacient që vuante nga konvulsionet. Në të njëjtën kohë, të njëjtën gjë bëri në Francë edhe Jean Dean. Rezultatet ishin të pakëndshme; më pas vijuan vetëm pak tentativa, derisa mbërritëm në vitin 1901. Ishte pikërisht në këtë vit, që Karl Landsteiner, një patolog amerikan, dëshmoi se suksesi i një transfuzioni të gjakut varet nga dy gjëra thelbësore: qelizat e gjakut të dhuruesit dhe plazma e recipientit (marrësit, përfituesit). Duke bërë eksperimente të ndryshme, siç ishte dhe përzierja e qelizave dhe plazmës në kombinacionet e mundshme, ai arriti në përfundimin se kishte gjetur tashmë katër grupe gjaku. Këto grupe varen nga prezenca në qelizat e kuqe të një substance, për të cilën sot dimë që përmban proteinë e karbohidrate. Këto substanca quhen “antigene”. Të injektuara në kafshë, këto detyrojnë organizmin që të prodhojë antitrupa. Megjithatë, shumë antitrupa janë prezentë që në lindje, si në rastin e antitrupave të grupeve të gjakut. Kemi dy substanca të grupeve të gjakut, të quajtura A dhe B, ose A e B të marra së bashku ose asnjërën prej tyre. Grupet e gjakut janë emëruar A, B, AB dhe O. Plazma përmban antitrupa të këtyre substancave, në një mënyrë të tillë që qelizat e individit nuk i shkatërrojnë dot. Kështu, qelizat e grupit A ekzistojnë në plazmën që përmban një antitrup anti-B; qelizat e grupit B jetojnë në prezencën e antitrupave anti-A; Qelizat e grupit AB nuk janë të shoqëruara nga asnjë lloj antitrupash; personat me gjak të grupit O (zero) kanë plazmë, në përbërjen e së cilës gjenden antitrupat edhe anti-A edhe anti-B. Pra nuk është absolutisht e domosdoshme t’u japim njerëzve të njëjtin grup gjaku. P.sh., një person me grup gjaku A mund të jetë dhurues për një person me grup gjaku AB, sepse në trupin e këtij të fundit nuk ka antitrupa. Po kështu, mund të themi se grupi i gjakut O (zero) mund t’i jepet çdo personi, pasi ky i fundit në qelizat e tij, nuk ka antigjene, e ky fakt ka bërë që të cilësohen gjatë fushatave për dhurimin e gjakut si “dhurues universalë” njerëzit me grup gjaku O dhe “recipientë universalë” njerëzit me grup gjaku AB.
Nëse gabojmë me grupin
Nëse gabojmë gjatë dhurimit të gjakut, duke i dhënë një njeriu gjak nga një grup tjetër, ky gjak “do të sulmohej” e do të shkatërrohej nga antitrupat, nëse jepen sasi të mëdha gjaku, atëherë mund të kemi dëmtime të pakthyeshme të veshkave e si pasojë mund të vijë edhe vdekja
Grupi rezus
Është një grup tjetër me një rëndësi të konsiderueshme. E ka marrë këtë emër, pasi për herë të parë u gjend te majmunet “Rhesus”. Te njeriu sillet si te grupet e gjakut A, B, O – në aspektin se është një antigjen prezent në rruazat e kuqe, por ndryshe nga to, nuk ka antitrupa prezentë në plazmë. Thuhet se rreth 85% e popullsisë janë rezus pozitivë, pra që kanë antigjenin rezus, ndërsa 15% ku antigjeni mungon, janë rezus negativë. Njerëzit me grup rezus negativë, ndryshe nga ata pozitivë, prodhojnë antitrupa te ky rezus antigjen, nëse u injektohet. Kjo gjë mund të ndodhë gjatë një transfuzioni, nëse përveç grupit të gjakut nuk kontrollohet edhe faktori rezus.
Grupe të tjera gjaku
Janë shumë grupe të tjera gjaku që njihen, por është tepër e rrallë mundësia që ato të shkaktojnë probleme, në çfarëdolloj mënyre. Kemi grupet M, N e S dhe P e shumë të tjera, disa e kanë marrë emrin nga pacientët e parë në të cilin janë zbuluar, një modë kjo mjekësore moderne. Rëndësia kryesore në studimin e këtyre grupeve dhe shumë të tjerave është në etnologji, pra në studimet sociale dhe të origjinës farefisnore, ashtu si dhe në Mjekësinë Ligjore, ku ajo përdoret në rastet e përcaktimit të atësisë së fëmijës, por kurrë nuk mund ta provojë atë me ekzaktësi. Në ditët e sotme, për këtë problem përdoret testi i ADN-së.