Libri

Letërsia e pantallonave

Është e vështirë të gjesh zëra femërorë në letërsinë shqipe të para viteve ’80 – ’90. Megjithëse një nga filozofitë e komunizmit ishte trajtimi i gruas si e barabartë me burrin, shumë pak autore femra mundën të shkruanin nën censurë. Më shumë ato preferuan t’i kushtohen redaktimit apo përkthimit të gjuhëve, duke ua lënë letërsinë burrave. Në asnjë vend tjetër dhe në regjime totalitare burrat nuk kanë dominuar kaq shumë sa në Shqipërinë komuniste

Nga Alda Bardhyli 

Në Shqipërinë e pas viteve ’70, Helena Kadare, atëherë sapo i kishte kaluar të 30-at, do të botonte romanin e saj të parë “Një lindje e vështirë” (botimet “Naim Frashëri”, 1976). Në një letërsi që deri atëherë ishte dominuar nga shkrimtarët meshkuj, romani i saj hyri si një grishje interesante, shkruar me stilin e një shkrimtareje që sillte një aromë të munguar në letrat shqipe. Një histori e thjeshtë, marrë nga një qytet i Shqipërisë, e cila sillte një këndvështrim ndryshe të realitetit, duke u marrë me njerëzoren. Jeta socialiste nuk ndihej në shqetësimin e bukur të një lindjeje. Do të duheshin 20 vjet që kjo shkrimtare të vinte me një tjetër roman “Një grua nga Tirana”, (botimet “Onufri”), një libër të cilit i kthehem shpesh sot, për gjuhën dhe emocionet që mbart. Historia e një gruaje në Tiranën gri, zhytur mes kujtimeve dhe një jete jo shpesh të lehtë, të bën të njohësh mirë një botë që në shqip e kemi lexuar vetëm në letërsinë e shkruar nga burrat. Më 2002-shin, Helena Kadare do të botonte romanin “Bashkëshortët” (“Onufri”), një rrëfim që duket i frymëzuar nga jeta e saj përkrah shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. “Ai vërtet qe bërë pak i çuditshëm ato ditë, po a nuk ishte bërë e çuditshme edhe ajo? Nëse ai nervozohej kur i kërkohej mendimi për diçka, e njëjta gjë i ndodhte asaj …”, shkruan Helena. Është bukur të endesh në librat e Helena Kadaresë, jo vetëm se zbulon dimensionin e një shkrimtareje që ka zbuluar herët të vërteta që janë brenda nesh, por dhe për të parë shkrimin e një gruaje, që e kalon dimensionin e realitetit në të cilin ka krijuar. Është e vështirë teksa hedh vështrimin në letërsinë e shkruar para viteve ’90 në Shqipëri të evidentosh autore femra. Eglantina Mandia është njëra prej tyre, e cila shfaqet përmes tregimesh të botuara në revistat letrare të kohës, për të mbërritur te romani “Sonata e hënës”, kushtuar një tjetër femre në letërsi, siç është Musine Kokalari, që i përket brezit të shkrimtareve të talentuara para viteve ’40, ku hyn dhe Selfixhe Ciu, që për shkak të diktaturës që u instalua në Shqipëri dhe fatit të mbrapshtë që patën, nuk e vazhduan më shkrimin. Pas viteve ’70, një vajzë e re e ardhur nga qyteti i Korçës do të befasonte me poezitë e saj. Ajo ishte Natasha Lako, e cila do të renditej menjëherë pas librit të saj të parë “Marsi brenda nesh”, 1972, përkrah poetëve burra. “E para fjalë e botës”, 1979, “Këmisha e pranverës”, Prishtinë 1984, “Yllësia e fjalëve”, Tiranë 1986, janë disa nga titujt e librave të Lakos për të mbërritur te libri i saj “Natyrë e qetë”, të cilin e botoi më 1990-n, atëherë kur komunizmi po binte. Është e vështirë të gjesh zëra femërorë në letërsinë shqipe të para viteve ’80 – ’90. Megjithëse një nga filozofitë e komunizmit ishte trajtimi i gruas si e barabartë me burrin, shumë pak autore femra mundën të shkruanin nën censurë. Më shumë ato preferuan t’i kushtohen redaktimit apo përkthimit të gjuhëve, duke ua lënë letërsinë burrave. Në historinë tonë të letërsisë jemi mësuar të themi shkrimtarë e jo shkrimtare. Në asnjë vend tjetër dhe në regjime totalitare burrat nuk kanë dominuar kaq shumë sa në Shqipërinë komuniste. Është e trishtë guaska në të cilën talentet femërore e futën veten, pa mundur të dalin. Sot, ne mund të ndiejmë vetëm aromën e tretur në ajër të parfumeve natyrore të një gruaje, që nuk mundi dot të dilte përveç shëtitjeve në bulevard, për t’u ulur si një shkrimtare në kafenenë historike të ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. (Pas viteve 2000 kam pasur rastin të pi shpesh kafe në këtë kafene, ku gjeje shkrimtarë, që për inerci të një zakoni të hershëm, shkonin e pinin kafen sërish aty, por jo shkrimtare). Gruan në vendin tonë e njohim përmes përshkrimeve të burrave. Nga Jakov Xoxa, Fatmir Gjata, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Migjeni, Petro Marko, Sterio Spasse, Dhimitër Xhuvani, Sabri Godo, Dhimitër Shuteriqi, Mustafa Gërbëlleshi, Kasëm Trebeshina, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Gjergj Fishta, Xhevahir Spahiu etj., janë emra që bëjnë historinë e letërsinë sonë. Nëse shohim debatet që bëhen sot për disidencën apo rolin e shkrimtarëve të ndryshëm gjatë socializmit, gjuha e akuzave ndaj njëri-tjetrit është e ashpër, gjë që nuk do të ndodhte nëse këto debate do të bëheshin mes femrave. Gjuha e tyre do të ishte më e sofistikuar dhe më elegante, ashtu siç duket elegante qëndrimi i tyre me heshtje gjatë këtij sistemi. Një shfaqje interesante e zërave femërorë ka qenë në vitet ’30 – ’40. Më shumë se shkrime letrare, shkrimet e autoreve femra që u shfaqën në këtë periudhë u ngjasonin lëvizjeve feministe, pasi në qendër të tyre janë kërkesat për emancipim të gruas. Ollga Pllumbi, Musine Kokalari, Selfixhe Ciu, Mila Prela, Afërdita Asllani, shkruan nën pseudonime. Por fati i këtyre autoreve do të ishte i trishtë pas ardhjes së komunizmit, pasi ato u internuan, duke u dënuar me mosshkrimin. Për të kuptuar se sa i fortë ishte maskilizmi në shoqërinë tonë në ato vite, mjaftojmë të lexojmë strofën e parë të një vjershe shkruar nga Gjergj Bubani në gazetën “Drita” më 1937-n, kushtuar Kolombias (Selfixhe Ciut). “O ti, që të kërkuam e s’të gjetëm / dhe s’dimë në je burrë, ose kokonë …”, shkruan ai. Vjersha shoqërohet me shënimin e redaksisë se “dikush paraqitet si femër, por s’është çudi të jetë mashkull i fshehur prapa këtij pseudonimi, boton prozë dhe poezi nëpër fletore dhe revistat tona”. Autoret femra do të shfaqeshin më shpesh në letërsinë shqipe pas viteve ’80. Atëherë kur damarët e regjimit duket se po hapeshin, kemi dhe botimet e para të romaneve bashkëkohore shqipe. Njëra prej tyre është shkrimtarja Diana Çuli. Në vitin 1980, ajo botoi romanin “Jehonat e jetës”, për të ardhur tre vjet më vonë me një tjetër roman “Zëri i largët” dhe më 1986-n me romanin e saj të njohur “Dreri i trotuareve”. Një tjetër zë interesant dhe bashkëkohor në letërsinë e pas viteve ’80 është Mimoza Ahmeti. Libri i saj poetik “Bëhu i bukur” (1986) dhe “Sidomos nesër” (1989) do ta afirmonin si një poete të së ardhmes. Dhe Ahmeti vazhdon të mbetet e tillë. Vitet ’90 do të fusnin fustanet në letërsinë shqipe, pas një kohe të gjatë ku kishin dominuar pantallonat. Elvira Dones, Mira Meksi, Besa Myftiu, Ornela Vorpsi, Ani Wilms, Arlinda Canaj, Vera Bekteshi, Flutura Açka, Rudina Xhunga, Brunilda Zllami etj., do të pasuronin letrat shqipe me tituj të rinj, tashmë të shkruar nga autore femra. Disa prej tyre janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera për të përçuar tej larg kulturën e një vendi, ku për vite me radhë femrat iu trembën shkrimit. Por, në një kohë kur letërsia duket se nuk ka më shqetësim lëvizjet feministe dhe shihet thjesht si letërsi, dhe gjinia duket se ka humbur në letërsi, çdo botim nga një autore femër, më shumë se i tillë është një libër më tepër në librari …

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button