Bota

Letonia, skandali i pastrimit të parave

Guvernatori i Bankës së Letonisë akuzohet për marrje ryshfetesh. Akuzat mbi pastrimin e parave dhe çështjen e korrupsionit po njollosin sistemin bankar të Letonisë Ilmars Rimsevics për 17 vite ka mbajtur postin e Guvernatorit të Bankës qendrore të Letonisë dhe pritej të dilte në pension gjatë vitit të ardhshëm.

Por në vend që të dilte në pension pas një viti, atij i është kërkuar që të japë dorëheqjen, shkruan The Economist. Autoritetet antikorrupsion të Letonisë e arrestuan atë nën akuzën për marrje ryshfetesh që shkonin deri në 100,000 euro (123,000 dollarë). Por ai u lirua vetëm dy ditë më pas. Situata nuk mund të kalonte në heshtje por përkundrazi, shkaktoi zhurmë dhe shqetësim të madh ndërkombëtar.

Z. Rimsevics është anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane (BQE) dhe i përkushtuar ndaj vendimeve më të rëndësishme të politikës monetare. Kryeministri i vendit, Maris Kucinskis, thotë se këto akuza janë të rënda, prandaj ai duhet të largohet nga çdo sipërmarrje e së kaluarës, por përkundrazi ai nuk është larguar, duke u shprehur se të gjitha akuzat janë thjesht një ndëshkim ndaj tij për prishjen e praktikave të dobëta. Ai thotë se është kërcënuar disa herë me vdekje.Industria bankare offshore e Letonisë dhe që vepron thuajse pa rregullatorë ka qenë përherë një shqetësim i madh që në momentin kur vendi ka fituar pavarësinë në vitin 1991.

Dhjetë vite më parë, gjatë krizës financiare globale, Parex Bank, banka më e madhe e pavarur në rajon, falimentoi, duke shkaktuar rrjedhimisht një bllokim të buxhetit. Shpëtimi i mëvonshëm i ekonomisë letoneze erdhi nga FMN-ja dhe Bashkimi Europian.Z. Rimsevics luajti rol kryesor në rezistencën që ai u bëri thirrjeve për të braktisur monedhën vendase ndaj euros.Kjo e ruajti besueshmërinë e Letonisë, por u pasua me një kosto të madhe për këtë vend. Ekonomia ra me 25%, papunësia u rrit mbi 20% dhe një e dhjeta e popullsisë emigroi jashtë vendit.

Zyrtarët letonezë kanë argumentuar në mënyrë të përsëritur se kjo industri nuk është më e njëjta si në të kaluarën, por faktet tregojnë një të vërtetë krejt tjetër. Disa banka në Riga janë akuzuar se kishin lëvizur paratë e vjedhura në 2008, në një mashtrim tatimor të kryer nga zyrtarët rusë në Hermitage Capital Management, një fond investimi në Rusi.Provat erdhën nga Sergei Magnitsky, një avokat, i cili më vonë u burgos në Rusi dhe vdiq në paraburgim. Sipas këtyre provave, të cilat ekspozuan qartazi “pastrimin e parave nga Rusia” rreth 20.8 milionë dollarë u zhvendosën nga Rusia në 732 banka në 96 shtete, nëpërmjet Moldavisë dhe Letonisë.

Shumë institucione të huaja kanë refuzuar të kryejnë transaksione me bankat e Letonisë që pas kësaj ngjarje. Kohët e fundit, Thesari i Shtetit i Amerikës deklaroi se ABLV, një nga bankat më të mëdha të Letonisë, kishte “institucionalizuar pastrimin e parave”, veçanërisht në transaksionet me Korenë e Veriut. Konsumatorët ikën, duke tërhequr me vete rreth 600 milionë euro. Pas një hetimi gjashtëditor, BQE-ja ngriu pagesat e bankës letoneze, dhe menjëherë pas këtij veprimi, kartat e debitit të klientëve pushuan së punuari.

Rregullimi i bankës nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e z. Rimsevics, edhe pse ai është përgjegjës për emërimin e zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni. Ndëshkimet e vëna janë jashtëzakonisht të lehta. Një auditim i sistemit bankar i nxitur nga rasti i pastrimit të parave ruse, çoi në vendosjen e gjobave prej 640,000 eurosh në tre prej bankave të vendit.

Korrikun e kaluar edhe një gjykatë tjetër në Paris gjobiti Rietumun, një bankë tjetër të madhe letoneze, me 80 milionë euro për pastrimin e parave.Por ka edhe nga ata që i konsiderojnë akuzat e z. Rimsevics si të dyshimta. Ministria e Mbrojtjes e Letonisë i quajti ato si një operacion “nga jashtë” (d.m.th Rusia), që synonte cilësimin e shtetit të Letonisë si një aleat i keq dhe i pasigurt.Skeptikët vunë në dukje se ryshfetet që ai pretendohet se ka marrë janë modeste në krahasim me pasurinë e disa biznesmenëve miliarderë rusë. Edhe çështja e ABLV nxjerr në pah dobësitë në rregullimin bankar europian. Megjithëse banka është nën mbikëqyrjen e BQE-së, është qeveria kombëtare ajo që zbaton rregullat kundër pastrimit të parave në BE. Një prej tyre është Letonia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button