Letrat për Fridën
D.H Lawrence
“Ndiej se nuk mund të duroj dot gjatë, nuk mund të pres më. Kam dy orë që qëndroj i ulur dhe nuk më ka lëvizur asnjë muskul, thjesht duke të menduar. I kam shkruar një letër Ernst. Ne duhet t’i themi atij gjithçka kemi për t’i thënë. Është mirë që ky raport të ndërtohet pa gënjeshtra. Unë të dua ty dhe ndihem i gatshëm të përballem me gjithçka. Kjo situatë më torturon çdo ditë e më tepër, ndaj nuk mund të rri pa bërë asgjë. Të dua kaq shumë. Mos ia trego këtë letër të tjerëve, as motrave të tua. Mos u ndje në faj nga fjalët e Ernst. Unë të dua dhe një ditë do të paguajmë për dashurinë tonë…”. D.H Lawrence, një prej personazheve më të njohur të letërsisë angleze, i shkruante kështu në një letër të 7 majit 1912, nga dhoma në hotel “Deutscher Hof” në Metz, së dashurës së tij të zemrës, Frida Weekley. Kishte vetëm tre muaj që e kishte njohur dhe ndiente se nuk mund të jetonte dot gjatë larg, gruas me flokët e verdha e sytë ngjyrë qielli. Takimi me të do ishte fatal për shkrimtarin. Frida ishte e martuar me Ernest Weekley, një profesor i gjuhës në Universitetin e Nottingham, me të cilin kishte tre fëmijë. Por, gruaja e dhënë pas leximeve do të magjepsej menjëherë nga vargjet që poeti i ri ia lexoi mbrëmjen e parë të takimit. Ashtu lehtë, ajo zgjati duart drejt tij, për të humbur në një përqafim nga i cili nuk donte më të ndahej. Lawrence do të shkruante më vonë, se Frida ishte gjithçka kishte kërkuar përmes letërsisë. Ashtu e thjeshtë, me stilin e një femre të rritur në një familje borgjeze, ajo iu dorëzua zemrës, duke u ndarë nga një martesë për t’iu bashkuar Lawrence. Por kjo lidhje nuk ishte e lehtë për të dy, në përballjen që duhet të kishin me filozofin Ernest Weekley, i cili kishte qenë dhe profesor i Lawrence. Janë dhjetëra letra që ai ia dërgonte Fridës, duke shpresuar se padurimi për të qenë pranë saj do të merrte fund sa më parë.
Në letrat që Frida do t’i ruante me kujdes për t’i botuar më pas, gjejmë dhe një të cilën ai ia dërgon bashkëshortit të saj, ku me përulësi i kërkon ta falë dhe ta lërë të lirë të shoqen. “Ne tashmë e dimë që jemi në një situatë jo të mirë. Në këto momente që po të shkruaj, po të drejtohem thjesht si një burrë i cili ashtu si ti, po vuan. Është vërtet një torturë ky pozicion. Të tre ne jemi duke vuajtur. Unë e dua gruan tuaj, dhe ajo më do mua. Zonja Weekley ndihet e frikësuar prej jush, aq sa s’mund të jetojë jetën e saj. Ju e dini që gratë janë kaq të brishta, ndaj lëreni të vazhdojë jetën e saj, dhe të mos e torturojmë më veten. Mos më shih si një ish-studentin tuaj, por thjesht si një burrë. Nga ana ime jam duke bërë më të mirën dhe e shoh të ardhmen time të lidhur vetëm me të. E di që nuk do mund të më falësh…Do ishte shumë po ta kërkoja këtë..”, i shkruante Lawrence. Në një tjetër letër, ai i shkruan se “është gruaja më e bukur në Angli, dhe nëse do të rrinte dhe një javë pa e parë, atëherë s’do mund të merrte dot frymë”. Frida dhe D.H. Lawrence do të martoheshin në vitin 1914, pas divorcit të saj. Të njohur në një kohë trazirash politike, ata lanë Gjermaninë për të jetuar ca kohë në Itali, e më pas në Britani. Gjatë qëndrimit në Itali, Lawrence përfundoi librin e tij të njohur “Sons and Lovers” të cilin e botoi më 1913. Shumë kritikë mendojnë se ky është një libër autobiografik, ku autori flet për raportet e tendosura mes tij dhe të atit, në një Angli e cila po përballej me ndryshimet. Bashkë me Fridën, ai zgjodhi të udhëtojë dhe të shmangë kaosin e botës duke dashuruar. Por Lawrence është jo vetëm një nga shkrimtarët e parë modernë në letërsinë angleze, por dhe shkrimtari që i deshi aq shumë letrat. Marrëdhëniet njerëzore, idetë, ndryshimet politike apo sociale, ndodhnin në atë periudhë përmes letrave. James Boulton, kritik anglez, ka hartuar një libër me një koleksion letrash të D.H Lawrencë. Janë dhjetëra letra jo vetëm për Fridën dhe marrëdhënien e tyre, por dhe personazhe të njohur letrarë të atyre viteve, apo dhe me botues. Interesante janë dhe letërkëmbimet me tregimtaren Katherin Mansfield. Ai i çon rregullisht me postë dorëshkrimet e librave të rinj dhe shpesh i flet dhe për raportin me Fridën. Në një letër të 21 korrikut 1913, ai i kërkon asaj të kujdeset për një nga djemtë e Fridës, të cilin ajo do ta sjellë në shkollë në qytetin ku Mansfield jeton. D.H Lawrence konsiderohet si një prej autorëve më të rëndësishëm të shekullit XX. Një prej romaneve të tij më të mirë është “Gra të dashuruara”, i cili ngjalli shumë diskutime kur u botua duke u bërë objekt i censurës, para së gjithash për trajtimin me çiltërsi të temës së seksualitetit femëror. Historia komplekse mes dy grave dhe dy burrave, dy çifteve: Xherald-Gadran dhe Birkin-Ursula, marrëdhëniet mes të cilëve shndërrohen pak nga pak nga miqësia në dashuri, e më së fundi, në pasion. Dhe dora-dorës që shpaloset historia aq e ndërlikuar e dashurisë së këtyre katër personazheve, mes aq shumë mospajtimesh për domethënien e dashurisë e rolin e seksualitetit, e po ashtu, mëdyshjesh për lidhjen e dashurisë me pushtetin e dominimin, D. H. Lawrence na sjell një nga romanet e tij më të bukur, duke hetuar anët më të fshehta të shpirtit njerëzor, përkundrejt sfondit të Anglisë puritane të pjesës së parë të shekullit XX. Lawrence jetoi fort, sikur ta ndiente se udhëtimi i tij në jetë do të zgjaste pak. Ai vdiq në moshën 44-vjeçare nga tuberkulozi. Pas vdekjes së tij Frida u martua me oficerin italian Angelo Ravagli dhe jetuan në Meksikë.