Lëvizte me pushkë automatike në makinë, arrestohet 22-vjeçari në Cërrik, në hetim edhe pasagjeri
Një 22-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Cërrik, pasi u kap duke lëvizur me armë zjarri në automjetin që drejtonte. Në kuadër të operacionit të koduar “Mesnata”, policia ka sekuestruar një pushkë automatike, 15 fishekë, automjetin dhe dy telefona celularë.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni u finalizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur në mesnatë, në lagjen nr. 3 të Cërrikut.
Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazh u gjet një armë zjarri, pushkë automatike, e cila dyshohet se posedohej pa leje nga drejtuesi i mjetit, shtetasi F. M., 22 vjeç, banues në Pogradec. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën edhe fishekë luftarakë.
Në automjet ndodhej edhe një 22-vjeçar tjetër, shtetasi R. B., gjithashtu banues në Pogradec, i cili është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale të moskallëzimit të krimit, pasi dyshohet se kishte dijeni për veprimtarinë e paligjshme.
Në përfundim të operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit, 15 fishekët, automjetin dhe dy celularët.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.