Arte

Librat, autorët dhe polemikat e Panairit të Frankfurtit

Panairi më i madh i librit në botë u mbyll të dielën, pas një jave në të cilën politika dhe digjitalizimi ishin në krye të agjendës.

Me Francën si shtet mysafir, Panairi i Librit në Frankfurt u hap me fjalime nga kryeministri francez Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Më shumë se 130 yje të letërsisë nga bota frankofone ishin aty për të diskutuar rreth librave të tyre dhe të drejtave për përkthim. Në mesin e tyre ishin Leila Slimani, Edouard Louis dhe Michel Houellebecq.

Në mesin e pjesëmarrësve të shquar nga bota anglishtfolëse ishin Ken Follett, Cecilia Ahern dhe Nicholas Sparks. Dan Brown, leximi i të cilit u mbajt para një audience prej më shumë se 1 mijë e 800 vetash dhe tërë kohën transmetohej drejtpërdrejt, udhëhoqi një mbrëmje aq të madhe, gjë që asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur në kuadër të këtij panairi të librit.

Autorët gjermanë, po ashtu, ishin të shumtë në numër, përfshirë këtu fituesin e “German Book Prize”, Robert Menasse, alpinisti i respektuar Reinhold Messner dhe boksierja Aya Cissoko.

Të dielën, në ditën e mbylljes së panairit, autorja kanadeze Margaret Atwood u nderua me çmimin “Peace Prize” të ndarë nga “German Book Trade” për krijimtarinë e saj letrare. E njohur për pikëvështrimin e saj të zymtë që kap çështjet bashkëkohore, autorja 77-vjeçare foli për rëndësinë e shkrimit në një epokë të rëndësishme historikisht.

“Ne nuk e dimë ku jemi. Nuk e dimë saktësisht kush jemi”, ka thënë ajo, duke iu referuar situatës politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka thënë se në të kaluarën, veçanërisht gjatë Luftës së Ftohtë, ShBA-ja ka simbolizuar lirinë dhe demokracinë. Që nga ajo kohë gjërat kanë ndryshuar dhe skenarë të tmerrshëm sollën totalitarizmin të cilin ajo e portretizon në romanin e saj të vitit 1985, “The Handmaid’s Tale”. Ajo ka thënë se libri bazohet shumë në përrallat e vëllezërve Grimm; në edicionin amerikan, arti i kopertinave përfshinte dy gra të veshura ngjashëm me Kësulëkuqen.

“German Bukk Trade” ia ka dhënë çmimin për paqe me arsyetimin se në jetën e përditshme dhe në veprat e saj shpalos “humanitetin, drejtësinë dhe tolerancën”

Megjithatë, Panairi i Librit në Frankfurt të Gjermanisë nuk kaloi pa polemika, pasi prezente ishin edhe shtëpitë botuese të krahut të djathtë, për të cilat ishte bërë e ditur se do të ishin aty para se të niste panairi. Në një vështrim botuar në gazetën lokale “Frankfurter Rundschau”, Danijel Majic kishte shkruar në muajin shtator se duke u mundësuar pjesëmarrjen dhe prezantimin e ideve të së djathtës, kompania e cila qëndron prapa organizmit të Panairit të Librit në Frankfurt po u jep një platformë neonazistëve.

Pas disa konfrontimeve të premten, që rezultuan në dhunë, ngjarja e mbajtur nga “Antaios Publishers” të shtunën u përcoll me protestues të cilët në duar mbanin pankarta. Ngjarja që solli politikanin Bjorn Hocke nga partia e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë përfundoi pasi që policia intervenoi dhe i shpërndau protestuesit.

Teksa panairit po i vinte fundi, shteti partner për vitin 2018, Gjeorgjia doli në qendër të vëmendjes. Në konferencën për media të mbajtur të enjten, ministri i Kulturës së Gjeorgjisë, Mikheil Giorgadze, foli për gëzimin e shtetit të tij dhe nderin që i është bërë pasi që ajo datë përkonte me qindvjeçarin e pavarësisë.

Drejtori ekzekutiv i Panairit të Librit në Frankfurt, Jurgen Boos, bëri të ditur se alfabeti i pazakontë në gjuhën gjeorgjiane – 33 shkronja të shkruara me mjeshtëri, të cilat janë shpallur si kulturë botërore nga UNESCO-ja – do të mundë të jenë pjesë e fokusit për vitin 2018.

“Ne duam të bëjmë ‘Gerorgia-Made by Characters’ festival të letërsisë, kulturës dhe kreativitetit gjeorgjian”, ka thënë ai. “Gjeorgjia shikon në traditën letrare të më shumë se 15 shekujve më parë dhe në historinë që ndryshon. Kjo trashëgimi kulturore edhe sot vazhdon të influencojë dhe frymëzojë autorë të ndryshëm”, ka shtuar ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button