Libri

Librat e rinj

Nicholas Sparks

Fati është në yje

Shqipëroi: Taulant Hatia
Botimet: “Bota Shqiptare”

Dy çifte, dy histori dashurie, një rrëfim i shkëlqyer. Një rrugë e mbuluar nga bora, një makinë që humb kontrollin dhe përplaset. Në timon është i moshuari Ira, i cili tani bllokohet brenda, i plagosur dhe i vetëm mes ngricës. Dhimbja nuk e lë të lëvizë kurse qëndrimi zgjuar është një sforcim i pabesueshëm, të paktën deri kur para syve i merr formë një pamje, fillimisht e paqartë, pastaj përherë e më e ëmbël: pamja e gruas së tij të dashur Ruthit.

Ajo e nxit të rezistojë, e mban gjallë duke i treguar historitë që i kanë bashkuar për më shumë se pesëdhjetë vjet: çaste të bukura e të trishtuara, pasione dhe keqardhje, dashuri pa fund. Ai e di që Ruthi nuk mund të jetë aty, por kapet fort pas kujtimeve, emocioneve, fjalëve që shkëmbejnë bashkë.

Marmaduk Piktholl

Orët e para

Shqipëroi: Edvin Cami
Botimet: “Qendra Studimore Fetare Erasmus”

Ky roman dashurie dhe gjakderdhjeje, ngjarjet e të cilit zhvillohen në ditët dramatike të fundit të Perandorisë Osmane, përshkruan botën e zënë si në kurth mes islamit dhe epokës moderne. Kamrudini është një ushtar i thjeshtë nga Maqedonia, i gjendur pa dashje mes konspiracionit të turqve të rinj për të rrëzuar Sulltanin.

Një romancë me një vajzë nga haremi i një pashai e vë atë para një zgjedhjeje të dëshpëruar: t’i bashkohet Xhihadit në malet e Ballkanit apo të gëzojë dashurinë e vet dhe mbrojtjen e zyrtarit të lartë perandorak. Rënia e Turqisë së vjetër, mes shkëndijave të lindjes së një kombi të ri, është përshkruar në mënyrë të shkëlqyer, ashtu sikurse edhe humori dhe natyra e hareshme e fisnikëve të institucioneve osmane që po bien nën goditjet e rënda të pushtimit dhe të rebelimit të brendshëm.

L. Stedman

Drita midis oqeaneve
Shqipëroi: Agim Doksani
Botimet: “Uegen”

Një libër i madh, madje një kryevepër… Kush është nëna e vërtetë e Luisit? Gruaja që e lindi apo ajo që e shpëtoi dhe e rriti? Nga njëra anë është Izi, me dëshirën e saj për të qenë nënë, trazimin, dëshpërimin dhe dashurinë e saj të pakushtëzuar për Luisin. Nga ana tjetër është Hana, me dhimbjen e zinë e saj. Çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar? Është e vërtetë që njerëzve mund t’u duken ndonjëherë e njëjta gjë?…

Sigmund Freud

Interpretimi i ëndrrave

Shqipëroi: Ergys Petriti
Botimet: “Plejad”

Në këtë vëllim jam përpjekur të bëj një paraqitje të interpretimit të ëndrrave dhe me këtë nuk e kam kapërcyer, besoj, sferën e interesit që mbulon neuropatologjia. Sepse kërkimi psikologjik tregon se ëndrra është formacioni i parë i një grupi fenomenesh anormale psikike, formacionet e tjera të të cilit, të tilla si fobitë histerike, fiksimet dhe deliret, janë ato që për arsye praktike i interesojnë kryesisht mjekut. Siç do të shihet në vijim, ëndrrat nuk mund të pretendojnë po kaq rëndësi praktike; por vlera e tyre teorike si paradigmë, nga ana tjetër, është përpjestueshmërisht më e madhe. Çdokush që ka dështuar të shpjegojë origjinën e imazheve onirike, zor se mund të shpresojë të kuptojë fobitë, fiksimet dhe deliret apo të ndërhyjë mbi to në mënyrë terapeutike. Por e njëjta bashkëlidhje që është përgjegjëse për rëndësinë e subjektit, duhet fajësuar edhe për mangësitë e punimit të tanishëm. Pikëthyerjet ku ndërpritet aq shpejt parashtrimi im s’janë tjetër veçse pikat e shumta të kontaktit mes problemit të formimit të ëndrrave dhe problemeve më të gjera të psikopatologjisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button