Librat e rinj
Jelena Lengold
Magjistari i panaireve
Përktheu: Ben Andoni
Botimet: “Morava”
“Magjistari i panaireve” përmban tregime me dashuri të përmbushur dhe të papërmbushur, me dukuri që janë të dukshme në jetën e përditshme dhe vlera që perceptohen vetëm në momente të jashtëzakonshme. Narracioni lëviz nga realizmi në dukje në zhanre të tjera; nga narracioni policesk ose thriller te proza erotike. Kujtimet, intimitetet dhe parandjenjat injektohen qetësisht në këto tregime që e pranojnë atë çka fati sjell, madje edhe kur bëhen përpjekje për ta ndryshuar, siç ndodh në tregimet “Xhepat plot me gurë”. Ky libër është fitues i çmimit europian për letërsinë 2011.
Lois Lowry
Dhënësi
Shqipëroi: Artan Duka
Botimet: “Bota Shqiptare”
Jeta në komunitetin ku jeton Xhonasi është e qetë dhe e patrazuar. Nëna-lindëse të paracaktuara prodhojnë fëmijë të rinj, të cilët caktohen në njësi familjare të përshtatshme për ta: një mashkull, një femër, për secilën. Qytetarëve u caktohen bashkëshortët dhe punët. Askush nuk mendon, askush nuk bën pyetje. Të gjithë binden. Komuniteti është një botë e koreografuar me saktësi, pa konflikte, pabarazi, divorc, papunësi, padrejtësi … ose zgjidhje. Të gjithë janë njësoj. Përveç Xhonasit. Në Ceremoninë e Dymbëdhjetëshve, dymbëdhjetëvjeçarët e komunitetit mezi presin të marrin caktimet e jetës. Kurse Xhonasin e kanë zgjedhur për diçka të veçantë. Ai nis të marrë udhëzime për punën e jetës së tij nga një plak misterioz, i njohur thjesht si Dhënësi.
Dalëngadalë, Xhonasi mëson fuqinë e ndjenjave. Por, atëherë kur fuqia e tij vihet në provë — kur atij i duhet të përpiqet të shpëtojë dikë që do — ai mund të mos jetë gati. A është tepër herët? Apo tepër vonë?
Fred C. Abrahams
Shqipëria e Re
Nga Diktatura në Demokraci në Europë
Përktheu: Idlir Hoxha
Botimet: “Dudaj”
Në fillim të viteve ’90, Shqipëria, shteti më i mbyllur dhe më represiv i Europës, nisi një tranzicion befasues pasi e kishte mbyllur veten për dyzet vjet në izolim komunist. Më përpara, nën një pushtet të rreptë diktatorial, shqiptarëve nuk iu lejohej të ushtronin fenë, të udhëtonin jashtë vendit, të vishnin xhinse apo të lexonin letërsi “dekadente” perëndimore. Duke përqafuar rishtas tregun e lirë dhe mundësitë e qeverisë së zgjedhur, shqiptarët filluan t’i përthithnin me uri risitë nga bota e jashtme. Ata hapën kafene, dyqane dhe gazeta. Muzika rok, më përpara e ndaluar, gjëmonte rrugëve. Por për Shqipërinë e ditëve tona hallet nuk kanë të sosur: në vitet që vazhduan, kombit do t’i binin në kokë zgjedhje të vjedhura, skandale korrupsioni, protesta të dhunshme dhe fantazmat e së ardhmes së pasigurt….
Napoleon Hill
Mposhtja e Djallit, sekreti i lirisë dhe suksesit
Shqipëroi: Mimoza Thaqi, Avni Thaqi
Botimet: “Albas”
Në vitin 1938, pas publikimit të “Mendo dhe pasurohu”, librit më të shitur të të gjitha kohërave, Napoleon Hilli theu “kodin e djallit”, duke detyruar atë që të rrëfejë sekretet e tij. Fillimisht, dorëshkrimi “Mposhtja e Djallit” ngjalli shumë diskutime. Për këtë arsye ai qëndroi i fshehur për më shumë se 70 vjet. Tani Sharon Lechter – e sjell këtë libër shumë të rëndësishëm për lexuesin bashkëkohor, të pajisur me shënime dhe shpjegime. Duke përdorur aftësitë e tij të mëdha, për të gërmuar thellë, deri te rrënjët, potencialet njerëzore, Hilli përpiqet të na njohë me pengesat më të mëdha me të cilat përballemi për të arritur qëllimet tona personale. Te këto pengesa, ai fut frikën, zvarritjen, zemërimin dhe xhelozinë, si mjete të orkestruara nga vetë djalli. Këto mënyra të fshehura të vetëkontrollit mund të na çojnë në vetëshkatërrim, ndaj Hilli zbulon shtatë parimet e suksesit, të cilat na mundësojnë ne të triumfojmë mbi to dhe të shkojmë drejt suksesit. Tepër joshës, provokues dhe i fuqishëm, libri “Mposhtja e Djallit” na mëson se si të ecim në rrugën drejt suksesit, harmonisë dhe vetëpërmbushjes në momentet kur kaplohemi nga frika dhe pasiguria.