Liga e Kombeve/ Maran, para sfidës së 3-të: Të shtyjmë fort, Finlanda ndryshon nga Bjellorusia
Një ditë para sfidës me Finlandën në Ligën e Kombeve, trajneri Rolando Maran doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për gjendjen e skuadrës dhe atë çfarë pret nga kjo transfertë e rëndësishme ndaj një rivali direkt.
Trajneri italian i kuqezinjve mes të tjerash theksoi se Finlanda është një kundërshtar mjaft i organizuar dhe që sulmon rrezikshëm. Ai shpjegoi pse Kerjota nuk është përfshirë në skuadër në dy ndeshjet e para dhe a mund të luajnë bashkë Mitaj dhe Pilo.
“Finlanda dhe Bjellorusia janë dy skuadra mjaft të organizuara, por me filozofi loje ndryshe. Mund të jenë të ngjashme në vendosje, por janë dy skuadra të shkurtra, agresive dhe që sulmojnë shpejt. Duhet të jemi të përgatitur mirë.
Mitaj dhe Pilo njëkohësisht në fushë? Janë dy lojtarë që kanë karakteristika të ndryshme. Nuk ka ndodhur të luajnë bashkë, vetëm njëri. Lojtarët duhet të jenë në shërbim të skuadrës me kualitetin e tyre. Kemi nevojë të shtyjmë fort, të jemi në 100%, nëse duam të jemi kompetitivë. Jemi me fat që kemi lojtarë të tillë me kualitet.
Kerjota? Unë kam vendosur të grumbulloj ndonjë lojtar më shumë, ngaqë ishin shumë ndeshje në këtë periudhë, por edhe për t’i njohur. Ai është një nga këta dhe deri tani nuk ka pasur mundësi të luajë. Mund të ndodhë në të ardhmen”, – tha trajneri Maran.
Shqipëria kryeson grupin e saj në Ligën e Kombeve me 6 pikë pas dy ndeshjeve të para. Ndeshja me Finlandën luhet të shtunën në Helsinki, duke nisur nga ora 15:00.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.