Politika

Ligji i ri:Kompensimi i pronave brenda 10 vitesh përmes pagesave me këste

‘Trajtimi i pronës dhe përfundimi i procesit të kompensimit të pronave’ është projektligji i ri i qeverisë i depozituar të enjten për shqyrtim në Kuvend dhe që synon t’i japë zgjidhje përfundimtare kësaj problematike, të nisur prej gati 25 vjetësh.
Drafti i plotë me rreth 37 nene parashikon që deri në vitin 2025 kërkesat e rreth 26.000 pronarëve të vihen në zbatim përmes kompensimit ose kthimit të pronës. Fondi i parashikuar për shpërblim për dhjetë vitet në vazhdim arrin në 50 miliardë lekë dhe për këtë shumë është hartuar një ndarje skematike buxhetore për çdo vit, e cila nis me 3 miliardë lekë vitin e parë, ndersa pëson rritje progresive deri në vitin e fundit (7.63 miliardë lekë).
Projektligji i plotë, i nënti në radhën e ndryshimeve ligjore ne këtë fushë, përfshin formulën edhe për kërkesat e patrajtuara, pagesën në pronën e subjektit të shpronësuar, tokat e zëna nga ndërtimet pa leje dhe tokat e dhëna në përdorim. Një tjetër propozim i projektligjit është dhe ndryshimi i emrit të institucionit përgjegjës, i cili nga Agjenci e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të emërtohet Agjenci e Trajtimit të Pronave (ATP).
ATP, brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do të vlerësojë financiarisht të gjitha vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit.
Neni 17 përcakton dhe format e kompensimit financiar. Subjektet, që shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, mund të përfitojnë nga fondi i kompensimit, si më poshtë:
a) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
b) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vitesh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
c) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vitesh, atëherë ai përfiton 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
Për pjesën që është me mbivendosje, Agjencia depoziton vlerën përkatëse në një llogari të veçantë bankare, e cila, pas zgjidhjes përfundimtare të mbivendosjes, i paguhet subjektit. Palët mund ta zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëri-tjetrin ose në rrugë gjyqësore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button