Politika

Kongresi, Rama flet për pakicën ‘Blushi’ dhe falenderon Fatos Nanon

Fjala e kryesocialistit Rama në Kongres nisi me një perifrazim të shkurtër për pritshmëritë e “grupit Blushi”.

“Ka një pakicë shumë të vogël këtu, që nga ky Kongres pret të gjejë sesi do t’i bëhet hallit statutor të mandatit tim dhe sipas tyre, unë këtu sot jam i pamandatuar”, tha Rama, duke shtuar se kjo do të diskutohet më gjerë në pjesën e tretë të Kongresit.

Kryeministri foli edhe për kundërshtarët jashtë partisë dhe pritshmëritë e tyre për rezultatet e këtij Kongresi, duke ironizuar me “gotën e ujit”.

“Jashtë kësaj shtëpie ka plot forca me njerëz që presin me interes të madh çdo të ndodhë në këtë Kongres. Shumë urojnë që të na ndodhë ndonjë gjë e ‘ububushme’, qoftë të na përmbyset ndonjë gotë ujë, pastaj të bëjnë lajm që anija jonë u përmbyt. Por do të zhgënjehen. Nga ky Kongres do të dalim më të fortë dhe të karikuar, më të motivuar për të çuar reformat në drejtimin e duhur”, deklaroi ai.

Rama falenderoi më pas figurat kryesore të PS-së, mes të cilëve edhe ish-kryetarin Fatos Nano.

“Uroj që të gjej fjalët e duhura deri në ditën e 25-vjetorit të PS-së për ta falenderuar për atë që ka bërë për Partinë Socialiste”, tha Rama.

Duke u ndalur tek opozita, Rama e akuzoi atë se të vetmin mjet që po përdor për të kundërshtuar maxhorancën është balta.

“Kjo nuk është opozitë. Nuk është opozita që aq shumë i duhet këtij vendi. Nuk kanë asnjë vizion, kanë gjithë atë mllef për të ushqyer fanatizmin, nuk kanë asnjë program, as në kokë, jo më ne lëtër, por kanë gjithë kurajon e paturpësisë për të qëlluar përditë me përbaltjen bajate që është shndërruar në infeksion që synon të kapë dhe prekë zemrat e njerëzve në nevojë dhe që nuk kanë fuqi të mjaftueshme të durojnë. Kanë gjithë forcën e verbër të një të mbyturi të madh që i bën të kërkojnë të na mbysin edhe ne në llumin e tyre. Shpesh ja dalin të na tërheqin në atë llum dhe kjo për fajin tonë, që nuk qëndrojmë dot më lartë se niveli i baltës së tyre. Duhet ta marrim seriozisht të bëjmë këtë korrigjim në qëndrimin tonë dhe të merremi me njerëzit”, u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button