Ekonomia

Ligji për energjinë, Gjiknuri: Eshtë i duhuri. Shehu: Klauzola rrit abuzimet

Ligji i ri për energjinë që ka ngjallur debate lidhur më atë që konsiderohet si “barrë hipotekore mbi banesat”, ka sjellë edhe reagimin e ministrit të Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, si dhe të deputetit të PD-së, Sherefedin Shehu.

“Eshtë fatkeqësi që në një ligj kaq të rëndësishëm me 110 nene, katandiset debati vetëm në një çështje, që aktualisht është në Kodin e Procedurës Civile dhe nuk ka ndonjë gjë të re”, tha sot Gjiknuri, gjatë një prononcimi për mediat.

Sipas tij, fatura e energjisë është titull ekzekutiv dhe titujt ekzekutiv kanë mënyra se si ekzekutohen, përfshirë edhe vendosjen e barrës hipotekore. “Ky ligj, parashikon thjeshtimin e një hallke që nuk e përjashton rishikimin gjyqësor, as nuk i përjashton procedurat përmbarimore”, shtoi Gjiknuri.

“Po flitet për siguri prone. Që prona të jetë e pastër duhet të jetë e shlyer nga të gjitha detyrimet. Çfarë ndodh sot? Ka shumë konsumatorë që marrin një pronë dhe e kanë me detyrime të mëdha nga të tjerët, detyrime nga mospagesa e energjisë. Dikush duhet ta paguaj këtë. Ky lloj parashikimi, për mendimin tim, do të sjellë një normim më të mirë edhe në tregun e pasurive të patundshme, pasi do të detyrojë pronarët të jenë më të kujdesshëm me pronën e tyre”, shpjegoi ministri i Energjisë.

Për Gjiknurin, ka vetëm një ndryshim që sjell ky ligj, atë që operatori mund ta kërkojë vetë vendosjen e barrës, pastaj ekzekutimi kryhet sipas Kodit të Procedurës Civile. “Kjo çështje është duke u diskutuar në Parlament. Shpresoj që ky ligj të kalojë. Thelbi i këtij ligji nuk është ky nen. Ligji krijon platformën e duhur për të implementuar të gjithë ato reforma aq të rëndësishme në sektorin e energjisë dhe për vendin tonë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, po sot ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike Sherefedin Shehu. Sipas tij, përmes këtij ligji synohet rritja e presionit ndaj qytetarëve. “Ky ligj ka një synim: të rrisë presionin ndaj qytetarëve. Ndërsa klauzola e barrës hipotekore është e qëllimshme dhe rrit abuzimet”, u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button