Linjë moderne e përpunimit të frutave në Dibër
“Kop Frut” në Dibër është fabrika më e re e prodhimit të lëngjeve të frutave në industrinë agroushqimore shqiptare, e cila u vizitua nga kryeministri Edi Rama. Fabrika, e mbështetur nga qeveria shqiptare përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural(AZHBR), sapo ka vendosur në përdorim një linjë moderne të përpunimit të frutave në prodhimin e lëngjeve 100% bio.
Me investimin e ri, pronari i kompanisë synon të rrisë prodhimin, punësimin dhe të dalë në tregun e huaj. Fabrika punon me prodhimin vendas të frutave.
“Do fillojmë bashkëpunimin me fermerët, që të prodhojmë dhe të shesim produktin. Vendet e punës do jenë me mijëra. Sepse siç është Dibra, është edhe Korça, pasi ky produkt do vijë edhe nga Korça. Shkojnë deri në 1500 vende pune, që janë zinxhir”.
Sipas Drejtores së AZHBR-së, Suela Popa, me këtë investim janë rritur edhe mundësitë për grumbullimin e frutave nga fermerët vendas, veçanërisht kultivuesve të mollëve nga qarku i Korçës. Agjencia, garantoi ajo, do të vazhdojë të mbështesë investimet në prodhim, me synim krijimin e ciklit të mbyllur në vend mes përpunuesve, grumbulluesve dhe prodhuesve vendas të frutave.
“Përmes këtij investimi kemi mbështetur financiarisht të gjithë grumbulluesit e frutave në zonën e Dibrës, por nga ana tjetër kemi zgjidhur dhe një ngërç të krijuar në qarkun e Korçës, që është pikërisht shitja e këtyre produkteve. Tashmë ne po bëjmë lidhjet midis qarqeve. Produktet e Korçës mund të vijnë shumë mirë të përpunohen në Dibër dhe ne të arrijmë të lidhim kontrata me vendet e rajonit”, tha Popa.
Ambicia, por edhe siguria e sipërmarrësit për të bërë sukses në tregun rajonal e më gjerë është e madhe. Ndërtimi i rrugës së Arbrit, sipas tij, do të lehtësonte shumë fermerët e zonës, shqetësim që ai ia shprehu dhe Kryeministrit.
Kryeministri siguroi se edhe kjo rrugë është vënë në drejtimin e duhur. Rruga e Arbrit ka kaluar në parlament dhe më pas fillon puna. Por, ndërkohë duhet ta plotësojmë me mbështetjen më të madhe për bujqësinë.”, theksoi kryeministri.