LONDËR – Ministri i Mbrojtjes: Rusia dhe Putini, kërcënimi më i madh për sigurinë e BM-së
LONDËR, 27 shtator /ATSH-DPA/- Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e ka cilësuar Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin si kërcënimin më të madh për sigurinë e Britanisë së Madhe.
Sipas tij, Britania e Madhe, sot përballet me rrezikun më të madh për t’u përfshirë në një luftë krahasuar me çdo periudhë tjetër gjatë jetës së tij.
Streeting tha se kjo situatë është një nga arsyet pse qeveria britanike ka vendosur të rrisë ndjeshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme shpenzimet për mbrojtjen, në nivelin më të lartë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Sipas ministrit, lufta në Evropë, si dhe veprimet e Rusisë, po krijojnë shqetësime për sigurinë e Britanisë së Madhe, mbrojtjen e vendeve të NATO-s dhe bashkëpunimin mes aleatëve.
Streeting tha se Britania e Madhe ka aktualisht kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur vendin, por paralajmëroi se situata do të bëhej më e pasigurt, nëse shpenzimet dhe kapacitetet ushtarake do të mbeteshin të pandryshuara për pesë vjet.
Ai theksoi se rritja e fuqisë mbrojtëse synon të parandalojë një luftë.
Sipas tij, sa më e fortë të jetë mbrojtja e vendit dhe aleancat e tij, aq më pak gjasa ka që Britania e Madhe të përfshihet në një luftë me Rusinë apo me një shtet tjetër. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.