Londra dëshiron t’i bëjë lëshime Skocisë
Një anketim i ri për referendumin e pavarësisë i ka alarmuar britanikët. Qeveria e Londrës ka marrë tani masa urgjente: ajo dëshiron t’i mbajë skocezët në Britaninë e Madhe – dhe ta bëjë këtë me para.
Anglia planifikon që t’i japë më shumë autonomi Skocisë. Ministri britanik i Financave, George Osborne i tha stacionit BBC se qeveria po shqyrton mundësinë për t’i dhënë Skocisë kompetenca më të gjera në çështje fiskale dhe të tatimeve. Qeveria rajonale në Edinburg do të marrë në bazë të kësaj edhe kompetenca të tjera në çështjet sociale.
Plane përkatëse do të prezantohen në ditët e ardhshme dhe do të hyjnë në fuqi, nëse populli i Skocisë do të vendosë në referendum të qendrojë në unionin 300 vjeçar me Anglinë. “Skocia do të marrë më të mirën e të dyja botëve”, tha Osborne.
Skoci: gjasat për shkëputjen rriten
Kundërshtarët e një shkëputjeje të Skocisë nga Britania e Madhe për një kohë të gjatë e shihnin veten në pozita të sigurta. Por në metrat e fundit para finishit të fushatës së gjatë elektorale, raportet e shumicës janë përmbysur. Situata mbetet e tensionuar.
Skocia: Yes or No?
Kjo deklaratë u bë pasi të dielën për herë të parë një anketë parashikoi një shumicë të vogël për mbështetësit e pavarësisë nga Britania e Madhe. Kështu, në studimin e Institutit YouGov për gazetën “Sunday Times”, 51 përqind e personave me të drejtë vote në Skoci u shprehën pro shkëputjes nga Britania e Madhe, 49 përqind qenë kundër. Votimi për qendrimin e Skocisë në Mbretërinë e Bashkuar do të zhvillohet në 18 shtator. Nëse më shumë se gjysma e votuesve do të votojnë pro shkëputjes, Skocia do të bëhet e pavarur në vitin 2016.
Londra megjithatë me lëshimet mund t’ua ndryshojë disi mendimin mbështetësve të shkëputjes së Skocisë. Në bazë të sondazheve, shumica e skocezëve dëshirojnë një rrugë të mesme: më shumë mëvetësi, por jo shkëputje përfundimtare nga unioni.
Edhe Elisabeta II është e shqetësuar
Në sfondin e këtyre rezultateve të anketimeve, Osborne tha se sa e rëndësishme do të jetë çdo votë në ditën e referendumit. “Nëse njerëzit nuk kanë qenë shumë të sigurtë, çfarë të bëjnë, të qendrojnë në shtëpi apo të dalin nga shtëpia dhe të votojnë me Jo, për të penguar ndarjen, sot ata kanë shpëtuar nga këto dyshime”, i tha kancelari i thesarit BBC. Njëkohësisht, Osborne theksoi: “Nuk ka diskutim: ne nuk do ta ndajmë pfundin, po të shkëputet Skocia nga Mbretëria e Bashkuar.” Me këtë kancelari i thesarit u drejtohet votuesve në kampin e pavarësisë së Skocisë, të cilët shprehen për vazhdimin e përdorimit të monedhës britanike.
Sipas “Times”, kryeministri britanik, David Cameron do t’i drejtohet pak ditë para referendumit në një fjalim skocezëve. Ai ka përsëritur disa herë se nuk do të japë dorëheqjen në rast të një shkëputjeje të Skocisë. Sipas gazetës, edhe Mbretëresha Britanike ndërkohë është e shqetësuar për mundësinë e një krize kushtetuese dhe ka kërkuar që ta informojnë çdo ditë. Por zyrtarisht, Pallati Mbretëror mban qendrim neutral.