LSI, Manjani: Pagesa me thesar është transparente
Ylli Manjani, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kishte shkruar në Facebook se “Thesari i Shtetit është shndërruar në thesarin e partisë”. Sipas Berishës, Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit përdorin Thesarin e Shtetit për të financuar LSI-në dhe kanë kaluar pagesat në llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kjo ishte përgjigja e Manjanit: “Berisha është një plak në pension dhe ka nge të merret me Facebook-un. Ne nuk kemi kohë për Berishën, por një përgjigje po e jap: pagesa me thesar është më transparentja e mundshme. Nga paga e zyrtarit politik, thesari bën ndalesën përkatëse. Është zgjedhur mënyra me thesar për të qenë më transparentë. Thesari është publik dhe nuk kemi gjë për të fshehur”.
Duke folur më pas për nisjen e vitit të ri shkollor, Manjani tha: “Shkolla është rruga e vetme për të luftuar injorancën. Arsimi profesional do të mbyllë debatin e azilkërkuesve, pasi nëse je profesionist, mund të punosh kudo. Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë, sidomos në ditët e para. Ka vështirësi me infrastrukturën dhe bazën materiale“.