Politika

Lu: Mos i bëni paratë makina luksi

Duke folur para të zgjedhurve vendorë në një konferencë në Tiranë, ambasadori amerikan, Donald Lu, iu drejtua zyrtarëve lokalë duke u kërkuar që të përdorin fondet në shërbim të qytetarëve të tyre.

Ambasadori amerikan nuk u ka marrë shumë kohë të zgjedhurve vendorë dhe politikanëve shqiptarë që kanë mbetur jo pak të çuditur kur ju ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të përdorin paratë e qytetarëve me mençuri.

“Të nderuar kryebashkiakë, nëse keni ardhur këtu me Mercedes, BMË apo Audi të zinj, duhet të mendoni nëse kjo është mënyra që votuesit duan të përdorni paratë e tyre. Nëse zyra juaj është më e kendshme sesa dyqani i bukës apo zyra e postës në zonën tuaj, sërish duhet të mendoni nëse mund të përdoreshin më mirë këto para për ndërtimin e shkollave”, tha ambasadori Lu.

Në mesin e debateve për blerjen e makinave të reja shtetërore, diplomati amerikan në Tiranë ka sjellë shembullin e shmangies së shpenzimeve të tepërta.

“E vlerësoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës që ka qenë kryetari i parë që refuzoi Mercedesin e zi të bashkisë dhe në vend mori me qira një Ford Fiesta të vogël ngjyrë gri”, nënvizoi Lu.

Qeveria amerikane, që ka dhënë për qeverisjen vendore 12.8 milionë dollare, i kërkoi qeverisë së Tiranës të provojë se reforma territoriale nuk u bë për të fituar zgjedhjet, por për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve.

“Tani qeveria ka mundësinë të vërtetojë këtë”, tha kryediplomati amerikan në Tiranë.

Ambasadori amerikan i kërkoi qeverisë të investojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek pushteti vendor, pasi Fondi Rajonal i Zhvillimit, tha ai, lë dyshimin e përdorimit të fondeve për njësite vendore të PS-së apo LSI-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button