Lubonja: Pa urdhrin e Berishës vështirë të shtihej në 21 janar
Kush dha urdhër për vrasjet e 21 janarit?
“Ky kërkon shpjegim psikologjik të autorëve që e kanë kryer, që kanë dhënë urdhrin, dikush thotë Sali Berisha. Pa urdhrin e tij vështirë të shtihej. Dikush thotë u ikën nervat e tendosura Gardës. Kjo do sqaruar. S’e di në do të sqarohet ndonjëherë në histori”, thotë analisti i njohur Fatos Lubonja në një intervistë në Ora News.
Pretendimin e Berishës se kishte zbatuar ligjin më 21 janar duke mbrojtur institucionet, analisti Lubonja thotë se ka diçka që nuk shkon me këto deklarata.
“Nëse ti thua unë e kam me ligj që nëse më hyn në territorin e institucionit kushtetues të paralajmëroj dhe pastaj do të qëlloj, nuk ke nevojë të thuash nuk i vramë ne, por vranë njëri-tjetrin. Ka diçka që nuk shkon”, shton ai.
Lubonja shprehet se fshirja e serverit të kamerave të Kryeministrisë tregon se ka pasur një përpjekje për të thënë se ata u vranë me njëri-tjetrin.
Duke folur për një grusht-shteti të pretenduar nga Berisha, analisti thotë se nuk ishte një grusht i tillë.
“Po të shohësh historinë e shteteve autoritare mund të kesh situata që sulmohet një President, ndodhin gjëra të tilla, puçe, grushte. Unë mendoj se ka pasur një tentativë më shumë për të krijuar këtë imazh, për ta destabilizuar Berishën, për ti dhënë goditje politike. Po nga këtu deri te fakti që janë bërë të gjithë bashkë me President, Prokuror në një marrëveshje për ta rrëzuar e për ta bërë puç e tejkalon”, shton ai.
Gjithashtu, ai deklaron se drejtësia e kapur nga politika sjell ngjarje të tilla.
“Ngjarjet që ka ndodhur në Shqipëri, piramidat, po të kishte funksionuar një Prokurori, mos të ishin të lidhura ca me politikën, ca me gazetarinë, 1997 do të kishe ndalur. Partitë do të ishin pastruar edhe më mbrapa, shumë ngjarje të korrupsionit. Në një drejtësi që nuk funksionon të lë në pellg, kthehen-rikthehen të njëjtët aktorë, do të kishte pasur dinamikë tjetër Shqipëria”, shprehet ai.