Bota

Luftë apo paqe

Angela Merkel dhe François Hollande po ndërmjetësojnë në Kiev dhe Moskë. Ky duket shansi i fundit për të ruajtur paqen në Evropë, mendon Bernd Johann.

Nuk është rrugë lehtë kjo që kanë nisur tani Angela Merkel dhe François Hollande për t’i dhënë fund luftës në Ukrainën lindore. Të gjitha iniciativat diplomatike deri tani kanë dështuar. Dhe përfundimi i misionit të ri është i pasigurt. Por tani kancelarja gjermane dhe presidenti francez po venë në kandar peshën e tyre politike. Ata e dinë se kjo është me shumë rrezik. Sepse kjo luftë mund të bëhet edhe më keqe, në qoftë se nuk arrihet që më në fund të ndalet cikli i dhunës.

Jeta e mijëra njerëzve në Ukrainën lindore është aktualisht mjaft e kërcënuar. Banorët e qytetit të vogël Debaltseve janë në mes të fronteve. Mijëra civilë dhe mijëra ushtarë ukrainas mund të bllokohen nga separatistët. Kërcënon një gjakderdhje e madhe, si ajo që Evropa nuk e ka përjetuar që nga lufta e Bosnjës. Dhe pos kësaj është e qartë: nëse konflikti do të përshkallëzohet dhe përhapet në më shumë pjesë të Ukrainës, atëherë e gjithë Evropa mund t’i ndjejë pasojat në mënyrë dramatike.

Kërcënim për paqen në Evropë

Rendi i paqes në Evropë është në rrezik. Pikërisht 70 vjet pas Konferencës së Jaltës, ku u vendosën kufijtë e rinj dhe sferat e influencës në Evropë në fund të Luftës së Dytë Botërore, Moska po përpiqet që me politikën e saj imperialiste, të vendosë përsëri vija të reja ndarëse. Askush nuk mund ta dojë këtë në Evropë. Në bisedime konfidenciale dhe të veçanta me presidentët e Ukrainës dhe të Rusisë Merkel dhe Hollande u përpoqën të gjejnë një rrugëdalje. Kievi dhe Moska janë vetëm stacionet e para të këtij plani. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë fundjavë si dhe gjatë vizitës së Merkelit tek presidenti amerikan Barak Obama, javën që vjen, do të vazhdojë lufta për paqen.

Bernd Johann
Bernd Johann

Por bisedimet e Merkel dhe Hollande në Kiev dhe Moskë mund të jenë ndoshta hapi i parë vendimtar për çtensionim. Ukraina gjendet në nevojë urgjente. Ajo nuk mund ta fitojë luftën ushtarakisht dhe për këtë arsye është e varur nga ndërmjetësimi diplomatik. Por ajo nuk mund të lejojë të bëhet shantazh, kur është fjala për sovranitetin e saj. Mbetet megjithatë të shihet nëse Putinit do t’i bërë përshtypje vizita. Udhëheqësi i Kremlinit sidoqoftë është i kënaqur që Merkel dhe Hollande po i drejtohen tani atij, pasi Perëndimi i ka ngrirë muajt e fundit pothuajse të gjitha kontaktet politike me të.

Me sa duket Merkel dhe Hollande kanë një plan paqeje, që nuk duhet bërë ende publik. Integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës duhet të respektohen, thonë ata. Fakti se një gjë e tillë duhet edhe një herë të jetë objekt negociatash në një Evropë të kombeve të lira të shekullit të 21-të, është skandali i vërtetë. Dhe suksesi që Putini e ka arritur tashmë.

Po në qoftë se misioni dështon?

Por gjithashtu është e sigurtë se nëse nisma e re për paqe dështon, Evropës do t’i duhet t’u përgjigjet pyetjeve të vështira. Në SHBA tashmë ka filluar debati për furnizimin me armë të Ukrainës. Pa mbështetje ushtarake, ukrainasit nuk mund ta ndalin ofensivën e separatistëve. Por shitjet e armëve do ta nxisnin më tej konfliktin. Dhe çfarë do të bënte Evropa në qoftë se separatistët hyjnë me ndihmën ruse deri në Kiev? Kjo ende duket larg. Lufta ende mund të ndalet. Por është mjaft e mundshme që iniciativa e Merkelit dhe Hollande është shansi i fundit për të parandaluar një luftë të hapur në Evropë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button