Ekonomia

Lulëzimi i koncesioneve: Kompanitë e huaja transferojnë 221 milionë euro fitime për 9 mujorin, rekordi i 7 viteve

Kompanitë e huaja që kanë aktivitet në Shqipëri transferuan 221 milionë euro përgjatë 9 muajve të këtj viti, në formën e pagesave të dividendëve, ose si pagesa interesash. Shifra bëhet e ditur në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e tretë. Vetëm përgjatë tremujorit të tretë u transferuan rreth 60 milionë euro. Fluksi dalës në tremujorin e tretë prezantohet në formën e pagesave të dividendëve dhe fitimit të riinvestuar (44 milionë euro) si dhe pagesa interesash (15 milionë euro), raporton Banka e Shqipërisë.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transferimi i fitimeve është rritur me 47%. Ky është niveli më i lartë i arritur në 7 vite, që nga  viti 2010. Në periudhën 2008-2010, fitimi i transferuar arriti në nivele rekord (240-280 milionë euro për 9 mujorin) për shkak të fitimeve të larta të operatorëve kryesorë të telefonisë së lëvizshme Vodafone dhe AMC (sot Telekom Albania). Në vitin 2008, të dy operatorët së bashku deklaruan fitime prej rreth 200 milionë euro, një pjesë e madhe e të cilave shkoi si dividend tel mëma gjatë 2009-s, kur raportohet dhe niveli më i lartë i fitimeve të transferuara. Më pas, me shtimin e konkurrencës, fitimet e kompanive celulare ranë ndjeshëm, për të zbritur në 9 milionë euro fitime në 2015-n dhe  vetëm 4 milionë euro në 2016-n, sipas të dhënave të deklaruara në bilancet përkatëse.

Edhe bankat raportuan në 2016-n përgjysmim të fitimeve. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave,  sipas standardeve ndërkombëtare IFRS (mbi bazë të të cilit bankat paguajnë tatimfitimin), fitimi i sistemit në total ra me 74%, si rrjedhojë e humbjeve të mëdha të deklaruara nga disa banka, si Raiffeisen, Alpha, Veneto. Megjithatë disa banka, si BKT dhe Intesa kanë deklaruar në 2016-n fitime të larta prej përkatësisht 62 dhe 20 milionë euro.

Por, teksa operatorët celularë dhe bankat nuk po kalojnë ditë shumë të mira, janë koncesionet e dhëna dekadën e fundit që po lulëzojnë dhe një pjesë e rëndësishme e fitimeve po transferohet jashtë. Në vitin 2016, sipas bilanceve përkatëse, koncesioni i Aeroportit të Rinasit deklaroi 17 milinë euro fitime, koncesioni i pasaportave Aleat, 8 milionë euro, koncesioni i skanimit S2 Albania, 3.4 milionë euro, ai i terminalit të Durrësit 3 milionë euro etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button