MADRID – Protestë pa afat, 65 mijë arsimtarë kërkojnë paga më të larta
– Mësuesit në rajonin e Madridit kanë vijuar grevën dhe protestat kundër kushteve të punës në sistemin arsimor publik, duke kërkuar rritje pagash, ulje të orëve mësimore dhe reduktim të numrit të nxënësve në klasa, sipas “Reuters”.
Protesta, e organizuar nga sindikatat e arsimit, përfshin rreth 65 mijë mësues të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm, të cilët japin mësim për më shumë se 666 mijë nxënës në rajonin e Madridit.
Një nga kërkesat kryesore të mësuesve, është rritja e pagave me 600 euro në muaj, me argumentin se të ardhurat aktuale nuk mbulojnë koston e lartë të jetesës në kryeqytetin spanjoll.
Ata kërkojnë gjithashtu, uljen e ngarkesës mësimore javore, nga 19 në 17 orë për mësuesit e arsimit të mesëm dhe nga 25 në 22 orë për mësuesit e arsimit parashkollor dhe fillor.
Sindikatat kërkojnë edhe kufizimin e numrit të nxënësve në klasa, shtimin e personelit mbështetës për fëmijët, që kanë nevojë për ndihmë të specializuar, si dhe më shumë investime për përmirësimin e infrastrukturës shkollore.
Në listën e kërkesave përfshihen gjithashtu, reduktimi i dokumentacionit administrativ që duhet të plotësojnë mësuesit, përmirësimi i kushteve në godinat shkollore dhe pajisja e tyre me sisteme klimatizimi.
Sipas sindikatave, protesta ka marrë pjesë të konsiderueshme të personelit arsimor. Organizatorët kanë raportuar pjesëmarrje prej rreth 70% të mësuesve, ndërsa autoritetet rajonale e kanë vlerësuar atë në rreth 45%.
Ndërkohë, ministrja rajonale e Arsimit, Mercedes Zarzalejo, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet gjykatës kundër anëtarëve të komitetit të grevës, duke i akuzuar për nxitje të veprimeve të dhunshme dhe ngacmuese gjatë protestave.
Nga ana tjetër, sindikatat dhe mësuesit kërkojnë që autoritetet të ulen në tryezën e negociatave dhe të shqyrtojnë kërkesat e tyre.
Protestat pasqyrojnë pakënaqësinë e punonjësve të arsimit lidhur me pagat, ngarkesën e punës dhe kushtet në shkollat publike të rajonit të Madridit.
Protesta vijon pa një datë të përcaktuar përfundimi, ndërsa sindikatat kërkojnë një marrëveshje me autoritetet rajonale për përmirësimin e kushteve në sistemin arsimor. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.