Malaj: Incentivat për sektorin e turizmit, në linjë me kërkesat e Bashkimit Europian
Ministri i Financave,Petrit Malaj, zhvilloi një takim me biznese që operojnë në sektorin e turizmit në qytetin e Durrësit.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi problematikat dhe sfidat bizneset hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre ekonomik, si dhe bashkëpunimi me administratën tatimore, në kuadër edhe të zbatimit të planit operacional për turizmin për vitin 2026.
Gjatë takimit u evidentua fakti se turizmi mbetet një nga sektorët me ndikimin më të madh në ekonomi, jo vetëm përmes fluksit të vizitorëve, por edhe për efektin që ka në punësim, të ardhura fiskale dhe zhvillim lokal.
Ministri Malaj theksoi se një sfidë e përbashkët me biznesin mbetet rritja e konkurreshmërisë së sektorit të turizmit dhe formalizimi i mëtejshëm i tij, çka do të sjellë, ndër të tjera, vlerë të shtuar për ekonominë e vendit. Në këtë kuadër, Malaj vlerësoi me mjaft rëndësi forcimin e dialogut me sipërmarrjen, sikurse edhe hartimin e politikave incentivuese, të cilat duhet të jenë në linjë me kërkesat e Bashkimit Europian.
“Ne sektorin e turizmit e shohim edhe si një motor që tërheq edhe sektorë të tjerë siç është pjesa e agropërpunimit dhe pjesa e bujqësisë. Këta janë sektorë satelitë të cilët i shërbejnë sektorit të turizmit dhe si rezultat i rritjes që sjell ky sektor, përfitojnë edhe këta nga ana tjetër. Jemi duke vlerësuar edhe disa incentiva të tjera, të cilat duhet të jenë në linjë edhe me kërkesat e Bashkimit Europian”, u shpreh Malaj.
Referuar të dhënave të administratës tatimore, në zbatim të planit operacional për sektorin e turizimit gjatë vitit 2025, në Durrës vërehet një zgjerim i aktivitetit ekonomik në sektorët lidhur me turizmin, rritje të punësimit, rritje të deklarimit të pagave dhe rritje të të ardhurave të gjeneruara. Sipas të dhënave, ka një rritje rreth 74% të punonjësve në fashat e pagave 50-70 mijë lekë dhe mbi 81 % në pagat mbi 120 mijë lekë, ndërkohë që pagesat e TVSH-së për sektorin janë rritur me rreth 79 milionë lekë ose 22.7 % në krahasim me vitin paraardhës.
Në takim u evidentua gjithashtu potenciali që Durrësi ka për zgjerimin e ofertës turistike përtej sezonit veror, përmes zhvillimit të turizmit kulturor, sportiv, shëndetësor, ekonomisë detare dhe organizimit të eventeve gjatë gjithë vitit.
Një diskutim i rëndësishëm ishte ai mbi zbatimin e Planit Sektorit të Turizmit për vitin 2026, i cili synon të vijojë formalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të aktivitetit turistik përmes rritjes së përputhshmërisë tatimore; përmirësimit të transparencës dhe standardeve në ofrimin e shërbimeve; përdorimit të teknologjive të avancuara dhe inteligjencës artificiale për evidentimin dhe analizimin e tatimpaguesve mosdeklarues apo me risk të lartë.
Në kuadër të zbatimit të këtij plani, Administrata Tatimore do të: aplikojë kontrolle të targetuara, të bazuara në analizën e riskut; kërkojë deklarim të saktë dhe të plotë të të ardhurave; monitorojë deklarimin e punonjësve të angazhuar në aktivitet, si dhe zbatimin e pagave indikative si element në vlerësimin e riskut tatimor; verifikojë zbatimin korrekt të faturimit elektronik për çdo shërbim të ofruar.
Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi të hapur me sipërmarrësit e sektorit, ku u diskutuan sfidat kryesore të tregut të punës, kualifikimi i punonjësve, formalizimi i punësimit sezonal dhe mënyrat për rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë si destinacion turistik në rajon.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.