Politika

Malta, mbështetje Shqipërisë në procesin e integrimit

Shqipëria dhe Malta angazhohen të thellojnë bashkëpunimin mes tyre në të gjitha fushat. Presidentja malteze, Marie-Louise Coleiro Preca, pas takimit sot në Tiranë me Presidentin Bujar Nishani shprehu gatishmërinë e palës malteze për të mbështetur Shqipërinë në procesin e integrimit europian, ndërsa vendi i saj përgatitet të marrë Presidencën e radhës së BE-së në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Dëshmi e vullnetit për bashkëpunim mes dy vendeve ishte dhe nënshkrimi sot i një Memorandumi Mirëkuptimit mes ministrive të jashtme të të dy vendeve, për procesin e integrimit të Shqipërisë.

“Gjatë bisedimeve i kushtuam rëndësi mundësisë së intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik duke e konsideruar si shtyllë të rëndësishme në marrëdhëniet tona dypalëshe. Vlerësuam se përveç vullnetit politik edhe kuadri i përbashkët ligjor që është në fuqi, i mundëson qeverive të të dy vendeve që të eksplorojnë më mirë burimet natyrore njerëzore në funksion të rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare”, deklaroi Nishani në konferencën e përbashkët për shtyp.

Pasi e uroi Presidenten Preca për marrjen për herë të parë nga Malta të presidencës së BE-së në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm, Kreu i shtetit mori mbështetjen e palës malteze në procesin e hapjes se negociatave me BE-në, por edhe për mbajtjen në fokus gjatë presidencës malteze, të zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke sjellë në vëmendje se në mars të këtij viti kremtohet 43- vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Maltë, Nishani i përkufizoi ato si ‘katër dekada marrëdhënie shumë të mira e miqësore, të intensifikuara ndjeshëm pas viteve ’90”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button