Maqedonci e krahason Serbinë me Rusinë: Ka 48 baza ushtarake pranë kufirit me Kosovën
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Serbia ka të vendosura 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë pranë kufirit me Kosovën, duke e krahasuar këtë situatë me veprimet e Rusisë para aneksimit të Ukrainës.
Maqedonci për ‘Talking With TVP World”, ka thënë se Serbia po mbështet grupet kriminale në Kosovë, me qëllim që të destabilizojë vendin dhe të kërcënojë sigurinë e Ballkanit Perëndimorë.
“Serbia po mbështet gjithashtu grupet kriminale në Kosovë, të cilat merren me kontrabandë dhe aktivitete të tjera kriminale, me qëllim që të destabilizojë Kosovën dhe, përmes destabilizimit të saj, të kërcënojë edhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të paraqitet si një aktor i rëndësishëm dhe të ndjekë interesat e saj hegjemoniste ndaj të tjerëve”, ka thënë Maqedonci në një intervistë.
Ai tutje, ka shtuar se Serbia po e ekspozon Kosovën ndaj kërcënimeve duke pozicionuar kapacitetet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
“E shohim se Serbia, përveç veprimeve hibride kundër vendit tonë, po e ekspozon Kosovën edhe ndaj kërcënimeve, duke pozicionuar kapacitetet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Janë 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë së forcave ushtarake dhe policore serbe të vendosura pranë vijës kufitare me Kosovën. Kjo na ngjan me atë që bëri Rusia para aneksimit të Ukrainës”, ka thënë ai



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.