Liderët e partive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut në takimin e mbajtur tek presidenti, Stevo Pendarovski unanimisht vendosën anulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të parashikuara të mbaheshin më 12 prill.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate në pushtet, Zoran Zaev pas takimit të mbajtur të martën (17.03) tek presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka thënë, se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Për datën e re të zgjedhjeve do të vendoset pas normalizimit të gjendjes me Covid-19, tha ai. “Nuk ka kushte për zgjedhje normale, liderë të përgjegjshëm të gjithë vihen në funksion në luftë me koronavirusin”, ka deklaruar Zaev.
Pritet shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme
Zaev ka theksuar se gjendja është shumë serioze. Ai ka kërkuar edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend. “Mënyra më e mirë për përballjen me koronavirusin do të ishte shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe jo shpallja e gjendjes së krizës, siç kërkoi lideri i opozitës, Hristijan Mickovski. Kjo do të na ndihmojë në marrjen e masave adekuate për të mbrojtur jetën e qytetarëve, marrjen e masave ekonomike dhe të masave tjera në funksion të normalizimit të gjendjes”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka mbështetur masat, por ka kërkuar edhe respektimin e Kushtetutës, si në rastin e anulimit të zgjedhjeve, ashtu edhe për përballje me koronavirusin, gjegjësisht shpalljen e gjendjes së krizës. “Mbetemi në qëndrimet se prioritet mbetet shëndeti i qytetarëve dhe përballja me virusin. Edhe më parë kemi tërhequr vëmendjen për masa më të qarta dhe efikase dhe jo të priten paraqitjet e rasteve që më pas institucionet të nisin me punën. Që para një jave kërkuam masa parandaluese, por institucionet pritën paraqitjen e rasteve të para që më pas të ndërhyjnë”, ka deklaruar Mickovski.
Përfaqësuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani pas takimit të së martës në kabinetin e presidentit, Stevo Pendarovski, njoftoi se të gjitha partitë politike janë dakorduar, se duhet të shtyhen zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Osmani theksoi se presidenti Pendarovski në konsultim me ekspertët juridikë do të përcaktojë mënyrën ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve. “Kemi konstatim të përbashkët se zgjedhjet do të duhet të anulohen, sepse shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm. Mënyrën se si do të implementohet ky vendim politik mbetet që presidenti së bashku me ekspertët ta vendosë në orët dhe ditët në vazhdim”, ka thënë Osmani.
Në Maqedoninë e Veriut 26 persona të infektuar me koronavirus
Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është rritur në 26 persona, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, por duke paralajmëruar mundësinë që brenda një muaji numri i të infektuarve të arrijë deri në dy mijë. “Sot në mëngjes janë testuar 10 persona. Testet e tre personave janë pozitivë, ata janë testuar në klinikën private ‘Zhan Mitrev’. Gjendja e të gjithë pacientëve është stabile”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë.
Ministri i Punëve të Brendshme Naqe Çulev ka bërë të ditur se gjatë ditës në Maqedoninë e Veriut pritet të hyjnë së paku 200 shtetas nga vende të ndryshme dhe të gjithë do t’i nënshtrohen kontrolleve apo do të futen në vetizolim. Ministria e Ekonomisë dhe drejtuesit e disa subjekteve afariste kanë bërë thirrje që të mos bëhet panik me furnizimin me ushqime, meqë të gjitha supermaketet e mëdha janë të furnizuara me ushqime, ndërsa rezerva ka për një muaj të tërë, por më pas do të ketë furnizime të reja. Qeveria ka vendosur çmimet mbrojtëse për artikujt më elementarë ushqimorë, kështu që subjektet afariste nuk do të guxojnë të rrisin çmimet.