Maqedonia

Maqedoni: Efekte pozitive nga ulja e çmimt të naftës

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni theksojnë se ulja e çmimit të naftës në tregun botëror do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë e Maqedonisë, pasi vendi është i varur nga eksporti i lëndëve energjetike, njofton REL.

Slobodan Najdovski, ligjërues në fakultetin e Ekonomisë në Shkup, thotë se ulja e çmimit të naftës do të ulë dukshëm dhe shpenzimet e kompanive transportuese, njëherësh do të ndikojë edhe në uljen e kostos së shpenzimeve edhe në sektorin e industrisë.

“Ulja e çmimit të derivateve të naftës në tregun botëror do të reflektojë me efekte pozitive dukshëm në ekonominë e vendit, varësisht se sa është përqindja e kostos së derivateve të naftës gjatë prodhimit në ndonjë degë të ekonomisë . Dhe ky moment duhet shfrytëzuar në çdo aspekt”.

“Por, për fat të keq, ekonomia maqedonase nuk reagon në kohë duke ulur edhe çmimet e shërbimeve në kompanitë e transportit apo sektorët tjerë, ndërkohë që shumë shpejt të njëjtit reagojnë kur kemi të bëjmë me shtrenjtimin e derivateve të naftës” , thekson Slobodan Najdovski,ekspert i ekonomisë.

Xhevdet Hajredini, ish- ministër i Financave në Maqedoni, fajtore e bën Qeverinë për faktin se nga ulja e çmimeve të derivateve të naftës përfitojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë,por në të njëjtën masë nuk arrijnë të përfitojnë edhe qytetarët.

“E para është ajo se Organi Rregullator i Energjetikës në Maqedoni, në mënyrë pedante nuk i ndjek lëvizjet në tregun botëror të naftës. Pastaj këtu kemi edhe Qeverinë e cila mundohet që sa më vonë të zvogëlohet çmimet që janë të lidhura drejtpërdrejtë me derivatet e naftës, sepse kështu zvogëlohen dhe të ardhurat në buxhet të cilat hyjnë përmes tatimeve”, thekson Hajredini.

Ndryshe, gjatë muajit të fundit janë shënuar ulje të çmimit të naftës në Maqedoni. Së fundmi, të hënën (25 janar), Komisioni Rregullator për Energjetikë në Maqedoni vendosi uljen e çmimit për 3,5 denarë për litër të karburanteve.

Ekspertët thonë se çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni do të shënojnë ulje edhe më tej, pasi kompania e naftës “Helenik Petroleum”, që është pronare e rafinerisë “Okta” në Shkup, ka firmosur marrëveshje me kompaninë nacionale iraniane, pas heqjes së embargos ndaj këtij vendi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button