Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, sot u mbajt konferenca e parë e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (BE) në Republikën e Maqedonisë, që paraqet një forum të hapur në të cilin përfaqësuesit e institucioneve politikbërëse diskutojnë mbi procesin e integrimit në BE, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin në hapje të konferencës, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, tha se anëtarësimi i Maqedonisë në BE është një çështje e cila gëzon besimin e rreth 80 për qind të qytetarëve të vendit dhe e cila, sipas tij, obligon akoma më shumë qeverinë të punojë në këtë drejtim.
Dimitrov tha se vendi duhet të punojë shumë në reformat e brendshme nëse dëshiron të përfshihet në dokumentin e BE-së, i cili do të publikohet në muajin shkurt. “Synojmë forcimin e komunikimit me gjithë fqinjët tanë, të cilën po e bëjmë, të përqendrohemi në ndërtimin e një fryme të re me dialog dhe besim dhe respekt të ndërsjellë. Rezultate të dukshme janë mbledhjet e përbashkëta qeveritare me Bullgarinë dhe Shqipërinë që nuk ka ndodhur pas pavarësimit tonë”, tha Dimitrov.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në fjalimin e tij tha se qeveria e re për detyrë të saj të parë ka pasur kthimin e shtetit në binaret e integrimit në BE për çka flet entuziazmi i ri pro-BE në Maqedoni i cili, sipas tij, gjatë ka munguar, që “në bashkëpunim me partnerët strategjik të vendit është pasqyruar në planin e qeverisë 3-6-9”.
“Zgjedhjet lokale ishin prioriteti i parë si testi më i rëndësishëm nëse qeveria mund të zbatojë zgjedhje korrekte. Këtë test e kaluam me sukses, prandaj mund të kalojmë në reformat në gjyqësor, për të ndërtuar gjyqësor të liruar nga presionet politike”, tha Osmani, i cili përmendi edhe reformat në shërbimet e inteligjencës dhe reformat në administratë dhe partneritet me mediat.
Në hapje të konferencës foli edhe ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, i cili tha se ndihma amerikane në këtë konferencë, në fakt reflekton qëndrimin amerikan gjatë gjithë viteve të pavarësimit të Maqedonisë, që është ndërtimi i një demokracie prosperuese të integruar në NATO dhe BE.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Ivan Korchok, në adresimin e tij tha se, “Ne sllovakët jemi guximtarë dhe nuk hoqëm dorë dhe u bëmë pjesë e BE-së. E them këtë si një inkurajim”, tha ai.
Ai shtoi se Sllovakia e sheh Maqedoninë si një shtet me perspektivë, për çka në vend ka dy investime të mëdha sllovake.
Konventa Kombëtare për BE-në do të funksionojë si një forum i përhershëm për dialog të hapur ndërmjet përfaqësuesve kompetent për anëtarësim, i cili dialog duhet të çojë në analiza dhe rekomandime për përparimin dhe përafrimin e Maqedonisë me standardet për anëtarësim në BE.
Gjatë orëve të mbrëmjes dhe nesër, ekspertë nga fusha të ndryshme do të diskutojnë në sesione të mbyllura.