Rajoni

“Maqedonia dhe Bullgaria shembull për botën se si ndërtohet fqinjësia e mirë”

Kryeministrat e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, pas seancës së përbashkët mes dy qeverive të mbajtur në Strumicë të Maqedonisë, deklaruan se “Këto dy vende janë shembull për rajonin, por edhe për tërë botën, në atë se si ndërtohet fqinjësia e mirë dhe si zhvillohet bashkëpunimi mes dy vendeve”.

Më herët, Qeveritë e Maqedonisë dhe Bullgarisë zhvilluan një seancë të përbashkët, pas së cilës ministrat e institucioneve të të dy vendeve nënshkruan marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me rëndësi të përbashkët, ndër të cilat marrëveshje për intensifikimin e punëve të jashtme, trajnimin e vozitësve në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin në raste të katastrofave, marrëveshje për heqjen e roaming-ut, si dhe të tjera në fushën e investimeve, energjetikës, mbrojtes dhe turizmit.

Kryeministri Zaev seancën e përbashkët qeveritare dhe memorandumet e nënshkruara i quajti si historike, duke shtuar se Maqedonia dhe Bullgaria qëndruan me njëra-tjetrën me nënshkrimin e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, ndërsa me seancën e sotme qeveritare aktivizuan motorët që do të tërheqin tërë rajonin përpara.

“Para së gjithash dhe mbi të gjitha, ne si udhëheqës politik që u nderuam nga ju qytetarët që të udhëheqim, dërgojmë mesazh të fuqishëm në rajon dhe në botë se kështu ndërtohet fqinjësia, kështu ushqehet mirë fqinjësia, kështu zhvillohet bashkëpunimi, kështu duhen qytetarët e tyre dhe kështu mendohet paqja e rajonit, Evropës dhe e botës. Kështu sigurohet një siguri afatgjate”, deklaroi Zaev.

Ai theksoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi aktiv rajonal është kyç për stabilitetin e përhershëm dhe sigurinë në Evropën Juglindore. Ai poashtu vlerësoi lartë angazhimet mes dy qeverive për ndërtimin e Korridorit 8.

Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me çështjet e hapura mes dy vendeve, Zaev tha se: “Me të vërtetë përmes kësaj japim mundësi që më pak të flasim për të dobësitë e të kaluarës dhe më shumë për perspektivat dhe të ardhmen. Unë jam i bindur se atë marrëveshje duhet ta shohim me gëzim për perspektivat dhe e di se marrëveshja jashtëzakonisht përforcon miqësinë e dy vendeve dhe popujve, si dhe jam jam i bindur se ajo është përfitim i jashtëzakonshëm për Maqedoninë”.

Nga ana tjetër, kryeministri Borisov vuri në dukje lidhjen mes kryeqyteteve të rajonit të Ballkanit, gjë e cila siç tha ai, do të përmirësojë kontaktet dhe do të avancojë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit.

“Tani është momenti që të shfrytëzohet kryesimi i Bullgarisë me BE-në, pastaj i Rumanisë dhe Kroacisë, që për afërsisht dy vite jo vetëm që të mbahet në vëmendjen e kolegëve tanë në Evropë, por edhe realisht të ecet përpara”, u shpreh ai.

Ai duke lavdëruar marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë përmendi zhvillimin e infrastrukturës në vendet e Ballkanit, me qëllim që të zhvillohen kontaktet mes qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.

Qeverinë e Maqedonisë e përfaqësonin kryeministri Zaev, zëvendëskryeministrat Bujar Osmani, Koço Agjushev, si dhe ministrat Oliver Spasovski, Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov, Goran Sugarevski, Lupço Nikollovski, Damjan Mançevski, Suhejl Fazliu, Sadulla Duraku, Kire Naumov dhe Dragi Rashkovski.

Nga ana bullgare, e cila përfaqësohej nga kryeministri Borisov, morën pjesë zëvendëskryeministrat Tomisllav Donçev, Krasimir Karakaçanov dhe Ekaterina Zaharieva, ministrat Valentin Radev, Nikollaj Nankov, Neno Dimov, Rumen Porozhanov, Ivajlo Moskovski, Emil Karanikollov, Temenuzhna Petkova dhe Nikolna Angellkova.

Para mbajtjes së seancës së përbashkët qeveritare, kryeministrat e dy vendeve fqinje vendosën kurorë lulesh në monumentin e ish-presidentit Boris Trajkovski, ndërsa pas konferëncës së përbashkët për shtyp, delegacionet qeveritare morën pjesë në dorëzimin e donacionit për Komunën e Strumicës nga ana e Qeverisë së Bullgarisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button