Janë diagnostikuar edhe 6 raste të reja me virusin korona në vend. Këto raste çojnë në 48 numrin e të infektuarve.
Bëhet fjalë për një vajzë 4 vjeçare nga Shkup e cila ishte infektuar në një kopsht fëmijësh në Angli. Familja është kthyer në shtëpi më 14 mars dhe ka qënë në vetizolim.
Në Dibër janë rregjistruar tre raste të reja kurse një tjetër në Shkup. Në Gostivar është regjistruar rasti i parë. Kjo e fundit është një grua e moshës 40-vjeçare e cila para dhjetë ditësh është kthyer nga Zvicra. Pacientja është izoluar në Repartin Infektiv në Gostivar ndërkohë që pritet të dërgohet në Klinikën Infektive në Shkup. Po merren masat e duhura për izolim dhe testim të njerëzve me të cilët ka pasur kontakt e infektuara. Ministri i Shendetësisë Venko Filipce tha se gjendja shëndetësore e gjithë të infektuarve është stabile.
“Të gjithë pacientët janë në gjendje stabile, pasqyra klinike nuk ka ndryshuar, si e atyre në Klinikë poashtu edhe e atyre në Dibër. Pacientja që gjendet në aparat respirator ka parametra vitale, nuk ka shenja të përkeqësimit të gjendjes. U është bërë vizitë shtëpiake gjithë pacientëve që gjenden për kurim shtëpiak, u janë dhënë këshilla si të vazhdojnë me kurimin por edhe këshilla për vetë-izolimin”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Personat e dyshuar ose të sëmurë me korona virus do të shtrohen edhe në Spitalin “8 Shtatori” në Shkup, ku do të ofrohet një llojë tjetër intervenimi mjeksor.
“Në Spitalin “8 Shtatori” kemi bërë vizitë me një komision të posaçëm, drejtor të më shumë klinikave, përfaqësues të komisionit për sëmundje infektive. Në vendngjarje u caktua rruga për lëvizjen e pacientëve, pjesët për izolim, ambulanaca pranuese, një sallë e posaçme për intervenime kirurgjikale, një sallë e posaçme angiografike, një sallë e posaçme për eho dhe një repart i posaçëm që tashmë ka 22 krevate dhe dy aparate respiratore”- pohoi Venko Filipç, ministër i Shëndetësisë.
Në Dibër, do të shkojë edhe një pulmolog dhe nji pediatër shtesë. Ministri i Shëndetësisë mendon se sistemi shëndetësor është i mirë dhe ka kapacitet për të menaxhuar situatën. E rëndësishme sipas Filipçes është që pacientët janë zbuluar në fazë të hershme.