Marrëdhëniet transatlantike janë pa alternativë
Është një veçanti: një gazetë gjermane në anglisht shpërndahet në SHBA për një publik të zgjedhur. Atlantic Times feston 10 vjetorin e saj dhe ka ende shumë para vetes.
DW: Pse vendosët para dhjetë vjetësh ta themeloni Atlantic Times?
Theo Sommer: Dhjetë vjet më parë, marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe SHBA ishin shumë të tensionuara, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme për luftën në Irak. Dhe ne menduam që duhet të përpiqemi t’u përcjellim amerikanëve këndvështrimin tonë të punëve dhe gjermanëve këndvështrimin amerikan. Synimi ynë bazë ishte që t’i bindnim njerëzit se raporti gjermano-amerikan, edhe marrëdhëniet evropiano-amerikane janë shumë të rëndësishme sa të bëhen kurban i humoreve të shkaktuara nga mendimet e ndryshme.
A nuk ekziston këtu detyrimisht rreziku që raporti transatlantik të vështrohet përmes syzeve rozë dhe që të lihen pas dore tema të tjera të rëndësishme?
Po ta lexosh gazetën, do të shohësh se kemi tre sektorë – politika, ekonomia dhe jeta. Kjo do të thotë që ne përqendrohemi jo vetëm tek politika, por në të gjithë spektrin e raportit transatlantik. Veç kësaj, ne nuk jemi organ buletin i qeverisë. Ne nuk marrim para nga qeveria, por financohemi krejtësisht përmes lajmërimeve e reklamave. Dhe ne pasqyrojmë këndvështrime të ndryshme – nganjëherë edhe tonat, vetjake. Kurdoherë kur në Gjermani ka debate të mëdha, ne përpiqemi të pasqyrojmë aty perspektivat e ndryshme.
Ka mundësi që shumë njerëz nuk e njohin Atlantic Times. Cili është grupi që synoni të arrini dhe si e arrini?
Grupi i synuar prej nesh janë vendimmarrësit – politikanët, anëtarë të qeverisë që merren me politikë të jashtme, ambasadorë. Por në thelb ne u drejtohemi të gjithë atyre që janë të interesuar tek politika e jashtme, veçanërisht në SHBA. Atlantic Times shpërndahet dhe shitet kryesisht në SHBA. Kështu që i adresuari ynë kryesor është publiku amerikan.
Dhe në bazë të jehonës, që na vjen nga senatorët ne e arrijmë shumë mirë këtë publik. Nuk kemi të bëjmë me një medium masiv, por është një medium që arrin një pjesë shumë të rëndësishme të komunitetit të politikës së jashtme, dhe shpresoj edhe e pasuron atë.
A nuk do të ishte e mundur që ta arrinit publikun ndërkombëtar me një prani të fuqishme digjitale?
Ne botojmë edhe një German Times për një publik evropian. Veç kësaj, ne botojmë edhe Asian-Pacific Times dhe më parë kemi pasur edhe African Times, që sot del vetëm në botimin në internet. Pra ne kemi ambicien që të mos arrijmë vetëm lexuesit transatlantikë, por edhe një lexues global. Dhe aktualisht po punojmë që t’i zgjerojmë aktivitetet online.
Në dhjetë vitet e kaluara, marrëdhëniet transatlantike kanë përjetuar shumë ngritje dhe ulje. Ku ndodhen sot këto marrëdhënie?
Ne i kemi pasur gjithmonë diferencat tona me amerikanët. Prandaj kemi pasur disa dallime edhe me administratën e Obamas. Veçanërisht fakti që NSA përgjoi jo vetëm telefonin e kancelares, por ka përgjuar praktikisht kudo, ishte një thyerje e madhe besimi. Dhe ne edhe e thamë këtë. Nga ana tjetër ne e dimë se megjithë këtë thyerje besimi ne duhet të qëndrojmë së bashku. Sepse siç ka thënë Benjamin Franklin: If we don’t hang together, we shall hang separately (“Po të mos bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, do të na varin veçmas”)
Theo Sommer është botues i Atlantic Times. Më parë ai ka qenë për shumë vjet kryeredaktor dhe botues i gazetës së përjavshme Die Zeit.
Bisedën e zhvilloi Michael Knigge.