Marrëveshja maxhorancë-opozitë, komisioni cakton sot ekspertët
Komisioni i Posaçëm parlamentar për zbatimin e problematikës në rezolutën për marrëveshjen maxhorancë-opozitë mblidhet pasditen e së martës për të miratuar ekspertët dhe për të caktuar detyrat e tyre.
Kjo është mbledhja e tretë e këtij komisioni, i ngritur me vendim të parlamentit në fillim të sesionit parlamentar, me objekt zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit, e cila parashikohet të konkretizohet brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti.
Ky dokument, i konkretizuar me ndërmjetësimin e dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian, përfshin disa pika. Ndër të tjera palët bien dakord që të gjitha partitë të kontribuojnë për dialogun politik, i cili do të zhvillohet kryesisht në Kuvend, si dhe për respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin sistemik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Shumica qeverisëse dhe opozita angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias.