Politika

Marrëveshja maxhorancë-opozitë, nis punën komisioni i posaçëm

Komisioni i posaçëm parlamentar për zbatimin e problematikës së rezolutës për marrëveshjen midis mazhorancës qeverisëse dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë,  zhvilloi sot mbledhjen e konstituimit.

KUVENDI-12-300x2001Nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla, theksoi nevojën për të arritur në konkluzione konkrete, në mënyrë që të bëhet edhe zbatimi i marrëveshjes politike mazhorancë-opozitë, miratuar në seancën e fundit të vitit 2014.

Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho bëri të ditur se komisioni duhet të arrijë në një marrëveshje që të mos akuzojë asnjë si të inkriminuar në parlament, deri në daljen e një vendimi përfundimtar nga komisioni.

“Kërkoj që të dalim nga kuadri i demagogjisë, sepse shikoj që veç qëllimit të mirë, këtu ka dhe shumë demagogji, ndaj them të marrim edhe një vendim në këtë rast. Që edhe ju (opozita) të mos nominoni në diskutimet tona, qoftë në komisione, qoftë në parlament, për të përdorur cilësorin ‘ky është kriminel, ai është kriminel”, tha Spartak Braho.

Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se komisioni duhet të nxjerrë dispozita ligjore dhe jo të hetojë individë të caktuar që janë brenda parlamentit.

“Ne kemi për detyrë t’i japim zgjidhje në qoftë se problemi ekziston. Nuk do të bëjmë hetime të personave. Nuk kemi kompetencë për të bërë hetim të personave, të cilët janë në parlament. Ne kemi kompetencë këtu për t’i propozuar parlamentit dispozitat ligjore, që ato fenomene të ndodhura në të kaluarën të mos përsëriten më në të ardhmen”, tha deputeti Halimi.

Nga ana e tij, kryetari Oerd Bylykbashi theksoi se komisioni do të ftojë Komisionin e Venecias dhe institucione të tjera ndërkombëtare që të bëhen pjesë përmes ekspertizës së tyre.

“Kjo marrëveshje, e iniciuar nga Parlamenti Evropian, do të jetë në fokus të posaçëm të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare evropiane. Sigurisht, që do të kemi nevojë për ekspertizën më të mirë dhe Komisioni i Venecias do të jetë në krye të kësaj ekspertize. Ne do t’i bëjmë ftesë që të marrë pjesë’, tha Bylykbashi.
Komisioni i posaçëm parlamentar për zbatimin e problematikës në rezolutën për marrëveshjen midis mazhorancës qeverisëse dhe opozitës në Kuvendin, u ngrit me vendim të Kuvendit në seancën e fundit plenare. Objekt i veprimtarisë së tij janë çështjet e trajtuara në rezolutën e miratuar nga Kuvendi më 24 dhjetor 2014.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button