Politika

Marrëveshja maxhorancë-opozitë nis zbatimin me fillimin e sesionit

Marrëveshja politike mes maxhorancës qeverisëse dhe opozitës, e miratuar me unanimitet në Kuvend në fund të sesionit parlamentar, parashikohet të konkretizohet brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti.
Seanca-plenare-ne-Kuvend-Foto-Agim-Dobi-1-300x2005Kjo marrëveshje, krahas ndërprerjes së bojkotit parlamentar nga opozita, shpreh nevojën për dialog që ka vendi në kuadër të procesit të integrimit. Gjithashtu, ajo thekson angazhimin e maxhorancës për të mos përdorur numrin e cilësuar të 84 votave në parlament për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë mirëkuptimin e saj për reforma të rëndësishme, sa herë kjo do të kërkohet.
Me fillimin e sesionit të ri parlamentar më 19 janar janë disa sfidat me të cilat palët do duhet të përballen për të vënë në provë dhe angazhimet e marra në marrëveshjen e mësipërme.
Kështu në fokus të sezonit të ri politik do të jenë diskutimet për reformën zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, reforma në drejtësi, disa çështje të tjera të rëndësishme, si ligji ‘për hapjen e dosjeve’, emërimi i anëtarëve në Gjykatën e Lartë, etj. Të gjitha këto, në respekt të marrëveshjes pozitë-opozitë, kanë në thelb konsensusin dhe mirëkuptimin mes dy krahëve politikë.
Në një intervistë të fundvitit të kaluar dhënë për “Zërin e Amerikës”, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, analizoi rëndësinë e marrëveshjes në fjalë, e cila siç shprehet ai konsiston “në një konsensus të përgjithshëm në implementimin e reformave”.
“Besoj se marrëveshja është tepër e qartë, që do të thotë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për çdo reformë, e cila kërkon një shumicë të kualifikuar, që ajo të bëhet me konsensus dhe përpjekjet në këtë rast nuk do të mungojnë. Por, në fund fare reformat do të bëhen, sepse është një domosdoshmëri” u shpreh kryeparlamentari në intervistën për ‘Zërin e Amerikës’. Po ashtu, ai nënvizoi dhe rëndësinë që dhe Partia Demokratike të reflektojë dhe të tregojë një frymë më të përgjegjshme bashkëpunimi.
Marrëveshja politike maxhorancë-opozitë, e konkretizuar me ndërmjetësimin e dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian, perfshin disa pika. Sipas saj, palët bien dakord:

– Për rikthimin e opozitës në Kuvend dhe përfshirjen e saj të plotë në jetën parlamentare, duke hequr dorë nga bojkoti i Kuvendit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e saj të cilësuar (3/5) për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus me opozitën për reforma të rëndësishme, kurdoherë që është e mundur;

-Të gjitha partitë do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili do të zhvillohet kryesisht në Kuvend, si dhe për respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin sistemik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shumica qeverisëse dhe opozita angazhohen për rishikimin e rregullave në drejtim të funksionimit efiçent të komisioneve hetimore parlamentare, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare;

– Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias.
Sipas marrëveshjes procesi i ndryshimeve legjislative që do të burojnë prej saj do të nisë në fillim të sesionit të ardhshëm parlamentar dhe do të përmbushet brenda datës 30 qershor 2015.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button