MAS pezullon rektorin e UT, kërkon nga Meta shkarkimin e Mynyr Konit
Ministria e Arsimit i kërkon presidentit Meta, shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Përmes një deklarate për mediat, ministrja Besa Shahini tha se institucioni që ajo drejton ka vendosur pezullimin e rektorit Koni, ndërsa tha se i është drejtuar me kërkesë kreut të shtetit për shkarkimin e tij.
“ Më ka bërë përshtypje mungesa e iniciativës së rektorit për të zgjidhur problemet në universitet. Rektori është ankuar shpesh për dekanët, por kurrë nuk ka ardhur me një kërkesë të mirë-argumentuar që t’ja aprovojmë heqjen e tyre. Shpresova se do të shfrytëzonte momentumin e krijuar nga protesta e studentëve për të ndërmarrë masa dhe përmirësuar klimën e punës në universitet, por kjo nuk ndodhi.
Më vjen me të vërtetë keq për Profesor Konin, i cili ka qenë gjithmonë shumë korrekt dhe kordial me mua si person. Por, përkundër kordialitetit, jam udhëheqëse e një institucioni që ka për detyrë të sigurohet se ligji po zbatohet dhe reforma po realizohet në të mirë të të gjithëve. Sidoqoftë, është gjithmonë vështirë të merret vendim për pezullimin e një personi të zgjedhur me vota nga institucioni që përfaqëson dhe më vjen keq që kemi arritur deri këtu.
Vendimin për shkarkimin e rektorit e merr Presidenti dhe ai do të ketë në dispozicion të gjithë materialin e përgatitur nga grupet e inspektimit.
E kam dëgjuar me kujdes fjalën e Presidentit Meta dje në një universitet privat ku tha se: “Protesta e Dhjetorit ka treguar se zbatimi aktual i Ligjit për Arsimin e Lartë ka probleme.”
Jam plotësisht dakord me Presidentin, sidomos për sa i përket Universitetit të Tiranës, ku ligji nuk është zbatuar, e rrjedhimisht universiteti është keq-menaxhuar dhe kjo ka rezultuar me probleme serioze për të gjithë gjeneratën e studentëve që sot janë duke ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës.
Duke marrë parasysh shqetësimin e shprehur nga Presidenti për mos-zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, jam e bindur që do të marrë vendimin e duhur për zgjidhjen e ngërçit në Universitetin e Tiranës.”, u shpreh Ministrja Shahini.
Kujtojmë se mes kryeministrit Edi Rama dhe rektorit Mynyr Koni ka patur akuza e replika në distancë lidhur me zhvillimet në arsimin e lartë.