Masat e qeverisë kundër koronavirusit. Kavalishenca e Ushtrisë e FA kthehet në karantinë
Gjithashtu, Ministrisë së Shëndetësisë i shtohet fondi prej 400 milionë lekësh.
VENDIMET:
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Mars 2020:
V E N D I M PËR MARRJEN E MASAVE PËR NGRITJEN E INFRASTRUKTURËS PËR SHËRBIMIN E KARANTINËS DHE PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Caktimin e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve të FARSH-it, prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.
- Caktimin e Ministrisë së Mbrojtjes si autoritet kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit, si më poshtë vijon:
- a) rikonstruksion të objektit prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, për përshtatje si infrastrukturë karantine;
- b) blerje mallrash/pajisjesh për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës;
- c) sigurimin e ushqimit të gatuar sipas nevojave;
ç) sigurimin e shërbimit të lavanderisë.
- Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në artikullin buxhetor 602, “Mallra dhe shërbime”, dhe në artikullin buxhetor 231, “Shpenzime kapitale”, i shtohet, përkatësisht, fondi prej 13 824 000 (trembëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekësh dhe 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë) lekësh.
- Efektet financiare, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020.
- Ministria e Mbrojtjes të koordinojë punën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përcaktimin e kushteve/kërkesave për funksionimin optimal të objektit të caktuar si infrastrukturë karantine.
- Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrë të gjitha masat për të siguruar shërbimin shëndetësor dhe psikosocial për personat që vendosen në karantinë, sipas legjislacionit në fuqi.
- Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
V E N D I M PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIN 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, PËR MARRJEN E MASAVE PËR PLOTËSIMIN E NEVOJAVE PARAPRAKE PËR INFEKSIONIN E SHKAKTUAR NGA COVID-19
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin “Planifikim, Menaxhim dhe Administrimi”, i shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për infeksionin e shkaktuar nga COVID-19, i ndarë, përkatësisht,:
200 000 000 (dyqind milionë) lekë në kategorinë e shpenzimeve kapitale;
200 000 000 (dyqind milionë) lekë në kategorinë e shpenzimeve korrente.
- Efekti financiar, prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.