“Mbështetje për hetime të tjera”, Vokshi komenton vizitat e ambasadorit amerikan në SPAK
I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, Indrit Vokshi komentoi vizitën e dytë brenda pak ditësh të ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, në ambientet e SPAK-ut.
Sipas Vokshit, takimet e përsëritura të ambasadorit me drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se SHBA synon t’u japë garanci dhe kurajë prokurorëve për të vijuar me procedimet penale.
“Armiqtë e interesave amerikane, nga këtu deri në Amerikën Latine, janë vënë në shënjestër për t’u goditur, sepse ambasadori ka në fokus interesat amerikane. Kur ambasadori shkon dy herë në SPAK, do të thotë se shkon për të dhënë garanci dhe për t’u dhënë kurajë prokurorëve për arrestime të mëtejshme, si dhe për t’u dhënë mbështetjen amerikane. Këta që janë në SPAK kanë qenë edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe është dashur që SHBA-ja t’i japë kurajë këtyre prokurorëve për të ngritur akuza penale ndaj njerëzve që janë jo vetëm problem për interesat amerikane, por edhe për platformën amerikane të sigurisë në rajon, si dhe për sistemin politik që ata duan të ndërtojnë. Sistemi politik lidhet me çështjet e sigurisë. Ne jemi pjesë e tavanit të përbashkët të sigurisë, duam apo nuk duam, dhe do t’u përgjigjemi kushteve dhe parametrave të sigurisë së vendeve të NATO-s ose të vendeve që ndikohen nga Amerika nëpërmjet Bashkimit Evropian apo drejtpërdrejt”, tha Vokshi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.