Europa

Mbeturinat, Camorra dhe politika

antonio_iovine  Ish-bosi i Camorrës Antonio Iovine po i bën të dridhen politikanët në Itali. 50 vjeçari ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë. Tani po bëhen publike denoncimet e para mbi asgjësimin ilegal të mbeturinave.  Pseudonimi i Antonio Iovines brenda klanit ka qenë “o’ninno”, fëmija. Por pamja e tij e pafajshme dhe rinore nuk mund të mbulojë faktin, se ai është një kriminel i kalibrit të lartë, i cili nuk është sprapsur as prej vrasjeve dhe as prej mëkateve ndaj mjedisit. Regjistri i dënimeve ndaj tij është po aq i ngarkuar, saqë ai mund të dalë nga burgu vetëm në moshë shumë të thyer. Ndoshta pikërisht kjo e ka nxitur atë që të denoncojë. “O’ninno”, i cili që nga viti 2010 ndodhet në një burg të sigurisë së lartë, në maj të këtij viti vendosi që të bashkëpunojë me drejtësinë.

Biznes lukrativ me plehrat

Edhe mbetjet toksike Camorra i hedh në natyrë.

Edhe mbetjet toksike Camorra i hedh në natyrë.

Krahas historisë së tij personale, që nga futja në klan e deri dek ngjitja brenda organizatës, Iovine ia ka shpjeguar në detaje prokurorisë së Napolit, se si është kryer biznesi me mbeturinat dhe asgjësimi ilegal i tyre. Që nga fundi i viteve 90-të klanet zbraznin plehera të çdo lloji, madje edhe mbetje të posaçme, duke mos iu përmbajtur rregullave duke kontaminuar në këtë mënyrë zona të tëra në rajonin Kampania. Gjendja emergjente e krijuar prej plehrave në Napoli, që në vitin 2008 tërhoqi vëmendjen e shtypit mbarëbotëror, sipas Iovine i erdhi për shtat Michele Zagarias, një bos i Camorras me kontaktet më të mira tek politikanët rajonalë, të cilët duhej ta zgjidhnin sa më shpejt të ishte e mundur këtë problem. Zagaria ka paguar ryshfet për t’i hequr mbeturinat nga rruga dhe për t’i depozituar apo asgjësuar ato nëpër troje, që i përkisnin atij, të afërmve të tij apo figurave fiktive. Për këtë qëllim ai themeloi një firmë fatazëm, e cila fitoi tenderin publik për asgjësimin e mbeturinave. Personi përgjegjës për tenderin ofertat e paraqitura i pati verifikuar fshehurazi duke vënë në dijeni Zagarian, se me çfarë shume duhej të aplikonte për të fituar tenderin.

Pirgje mbeturinash në zona të mbrojtura natyrore

Por kaq nuk mjaftoi. Një pjesë e madhe e plherave nuk u gropos, por të mbledhura nëpër thasë e qese plastike ato u lanë të thaheshin nën diellin napoletan. Prigjet e mëdha të plehrave kundërbonin erë anëmbanë, gjë që e vuri popullsinë në lëvizje. Demonstrata e protesta të qytetarëve të shqetësuar tërhoqën vëmendjen e medias e madje e vunë në presion edhe qeverinë asokohe. Meqenëse mungonin depot e djegies së mbeturinave dhe transportimi i tyre për në Gjermani apo Holandë kushtonte, u vendos që përmes një dekreti emergjence një deponi ilegale e plehrave rrëzë Vezuvit të legalizohej menjëherë. Por kjo ndodhi vetëm në letër, sepse në realitet gropa gjigante nuk u përgjigjej aspak standardeve të sigurisë.

Nënat kundër plehrave

Kjo gropë ekziston edhe sot. Edhe sot ajo vazhdon të jetë një deponi zyrtare mbeturinash, ku grumbullohen plehrat nga mbarë Italia. Në mes të parkut kombëtar të vullkanit Vezuv, që është një zonë natyrore e mbrojtur. Kur Mina Esposito në mëngjes ngre grilat e dritareve, ajo përshëndet Vezuvin me një “Buon giorno” miqësore. “Ne jetojmë në harmoni me vullkanin, ai është shumë më gjtaë se ne këtu”, thotë gruaja shtëpiake nëna e dy fëmijëve të vegjël.

Vullkani dhe plehrat. Edhe në Vezuv ka deponi mbeturinash.

Vullkani dhe plehrat. Edhe në Vezuv ka deponi mbeturinash.

Ajo tashmë është ambjentuar me mendimin, se ndonjë ditë vullkani mund të shpërthejë, por ajo nuk mund ta pranojë kurrësesi që mbeturinat rrëzë tij dhe helmet e deponisë të dëmtojnë shëndetin e fëmijëve të saj. Ndaj ajo bashkë me disa qytetare të tjera kanë themeluar nismën “donne vulcaniche” (gratë e vullkanit). Ndër to bën pjesë edhe gjermania Klaudia Eckhoff, të cilën e ka tërhequr dashuria për Boscorealen në rrëzë të Vezuvit. Kur ajo erdhi në mesin e viteve 80-të në këtë vend, pejzazhi vullkanik i dukej asaj si parajsë e vogël. Edhe sot e kësaj dite ajo i shijon shëtitjet e gjata me vajzën e saj nëpër parkun kombëtar. Por ndonjëherë atë e përfshin një ndjenjë trishtimi dhe ajo pyet veten, sa helm merr familja e saj përmes ujit dhe perimeve që rriten në kopshtin e saj. Që të shpërngulet prej këtej ajo as që e çon nëpër mend, “ku të shkoj? Vjehrra dhe vjehrri im jetojnë këtu, ata janë të moshuar, ne nuk mund t’i shpërngulim ato diku tjetër.” Të largohen dhe të heqin dorë, këtë as që e shtrojnë “donne vulcaniche” nga Boscoreale. Ato protestojnë duke bërë shumë armiq në këtë rajon. Politikanët lokalë i kanë ndaluar ato përmes dhunës policore, sepse ato duan që ta mbyllin deponinë dhe për këtë luftojnë si në gjykatë ashtu edhe duke kryer aksione spektakolare proteste kundër harresës. Qëkurse mbeturinat nuk kundërmojnë më erë, askush nuk pyet, se çfarë do të bëhet afatgjatë për ta zgjidhur problemin e asgjesimit të plehrave.

Shifra dramatike dhe tumore

Shumë njerëz në Napoli nuk durojnë dot më: Ata protestojnë kundër plehrave të mafies.

Shumë njerëz në Napoli nuk durojnë dot më: Ata protestojnë kundër plehrave të mafies.

Herë pas here në mediat italiane publikohen shifra alarmante. Në disa rajone të Kampanias sëmundjet nga tumoret vitet e fundit janë rritur në mënyrë disproporcionale, por nuk ka të dhëna të sigurta gjithëpërfshirëse. “Këtë dinë ta ndalojnë politikanët”, thotë Mina Esposito me ironi. Edhe organizatat e mbrojtes së mjedisit janë të shqetësuara për florën dhe faunën në parkun kombëtar për shkak të zbrazjes së mbeturinave me prejardhje të dyshimtë. Dekreti qeveritar i vitit 2008 nuk është shfuqizuar dhe ai lejon depozitimin e mbeturinave pa i provuar ato. Ky dekret i lëshuar për zgjidhjen e situatës akute në Napoli, është tani një provë e burracakërisë së politikës, e cila i shmanget përgjegjësisë. Kushdo që merret me asgjësimin e mbeturinave, herët ose vonë duhet të përballet me Camorran. Ky biznes është shumë joshës, aq sa kriminaliteti i organizuar nuk do të heqë dorë prej tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button