Mbeturinat e Kumanovës kanë filluar të depozitohen në Drisla të Shkupit: banorët e Pçinjës vazhdojnë bllokadën e “Krastës”
Zgjidhja është e përkohshme derisa të zgjidhet bllokada e deponisë "Krasta", ku banorët e fshatit Pçinja protestojnë prej një jave kundër zjarreve dhe tymit të vazhdueshëm.
Mbeturinat e Kumanovës kanë filluar të depozitohen në deponinë “Drisla” të Shkupit, siç njofton portali maqedonas sdk.mk. Kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, e ka konfirmuar se kjo zgjidhje është e përkohshme, derisa të zgjidhet problemi i bllokadës së deponisë “Krasta”.
Banorët e fshatit Pçinja dhe të disa vendbanimeve përreth protestojnë prej një jave te deponia “Krasta” dhe nuk lejojnë hyrjen e kamionëve dhe depozitimin e mbeturinave komunale. Sipas sdk.mk, ata e bllokojnë deponinë për shkak të zjarreve dhe tymit të vazhdueshëm, që thonë se përbëjnë rrezik për shëndetin e tyre.
Një ditë më parë kryetari Dimitrievski është takuar me banorët dhe është përpjekur t’i bindë që të lejojnë hyrjen e kamionëve dhe depozitimin e mbeturinave në pjesën e deponisë ku nuk ka zjarre. Banorët nuk kanë pranuar dhe kanë qëndruar në bllokadat para deponisë.
Stojan Stojkovski, përfaqësues i banorëve, thotë se protestat nuk janë kundër mbledhjes së mbeturinave në Kumanovë, por kundër depozitimit të tyre në deponi, prej së cilës tymi përhapet sërish drejt vendbanimeve. “Qëndrimet tona janë të qarta. Nuk tërhiqemi nga bllokada derisa të shuhet deponia e djegur. E konsiderojmë vepër penale sjelljen e mbeturinave të reja në një deponi të djegur, që pastaj tymi të shkojë sërish drejt fshatit. Gjashtë muaj nuk u bë asgjë, dhe pas njoftimit të bllokadës filluan të punojnë. Tani duan ta zgjidhin problemin menjëherë”, ka deklaruar ai për sdk.mk.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.