Mbijetesa bëhet më e vështirë për emigrantët e mbetur në Serbi
Kanë kaluar katër muaj e gjysmë që kur Joan Ahmed, 26 vjeç, i cili e prezanton veten si ish-fermer nga Afganistani, erdhi në Beograd.
Ai ka udhëtuar gjatë – rreth 5.500 kilometra nga Kabuli në Beograd dhe 170 km të tjerë përpara se të mund t’i bashkohej kushëririt të tij në Vjenë.
Si shumë afganë të tjerë, ai mbeti në Serbi ngaqë Hungaria refuzoi të pranojë më tepër refugjatë dhe bëri të detyrueshme kontrollet kufitare.
Bashkë me mijëra refugjatë dhe emigrantë të tjerë, ai po lufton të mbijetojë në kryeqytetin serb duke kaluar ditë dhe netë në një barrakë që ndodhet mes hekurudhave dhe stacionit të autobusit në Beograd.
Kushtet janë të vështira, njerëzit flenë në dysheme dhe shumica prej tyre vuajnë nga uria, të ftohtit dhe parazitët.
Joan po përpiqet të mbijetojnë ndërsa pret çastin e duhur që të provojë të kalojë kufirin me Hungarinë.
“Këtu çdo gjë ndodh rastësisht. Nëse je me fat kalon, nëse jo, atëherë kthehesh,” shpjegon ai, ndërsa gatuan vaktin e ditës – një supë domateje.
Joani thotë se për të shkuar në Vjenë, ai ka marrë borxh 7,000 euro nga kushëriri i tij dhe sapo të mbërrijë atje do t’ia shlyejë.
Në Afganistan ai kishte një fermë, sipas tij, por pasi pati mosmarrëveshje me kushëririn e tij, atij iu desh të largohej. I ati i kishte vdekur, por Joan u ndihmua nga një kushëri tjetër i cili është tashmë në Austri.
Aktualisht, kalimi i paligjshëm i kufirit në Hungari është pothuajse i pamundur. Policia hungareze lejon 20 emigrantë në ditë të kalojnë kufirin në Horgos.
Për ta koordinuar këtë proces, pala serbe harton një listë të veçantë të 20 personave të cilët çdo ditë mund të largohen nga Serbia. Pjesa tjetër duhet të presë.
Edhe pse disa prej miqve të Joan thonë se ai ka në plan të kalojë kufirin së shpejti me tren, Joan thotë se nuk është e vërtetë.
“Është shumë ftohtë në mëngjes, po pres për një çast më të mirë,” thotë ai. “Këtu gjithçka i mbetet rastësisë”.
Ndërkohë, disa nga emigrantët në rrugë po zemërohen gjithnjë e më shumë duke shpërthyer në grindje.
“E vetmja arsye përse grinden është ushqimi, megjithëse dita e sotme bën përjashtim – u grindën se kush do të merrte ujë të ngrohtë më parë,” tha Tijana Sijariç një aktiviste nga Info Park.
Sipas Sijariç, rreth 5 deri në 10 për qind e burrave që qëndrojnë në barraka kanë pak para për të blerë ushqim. Të tjerët presin derisa të mbyllet tregu vendas dhe të marrin ato që kanë mbetur për të gatuar.
“Nuk janë kurrë agresivë ndaj vendasve, por luftojnë mes tyre kur nuk kanë mjaftueshëm ushqim, apo si sot prej ujit të ngrohtë,” shtoi ajo.
Sijariç thotë se problemet mes refugjatëve në Serbi po shumëfishohen.
“Ata qëndrojnë në barraka për shkak se kampet e përkohshme dhe të përhershme në Serbi janë plot. Beqarët kanë thuajse zero mundësi të gjejnë një vend, pasi prioritet i jepet familjeve me fëmijë,” thotë ajo.
Sipas Sijariç, shumë prej emigrantëve të ngecur në Serbi kanë humbur të drejtat themelore, ose për shkak se nuk janë regjistruar te autoritetet, ose ngaqë nuk e kanë kuptuar se me regjistrimin u lindi e drejta brenda 72 orëve të shkonin në një kamp. Pasi nuk janë paraqitur brenda afatit, ata kanë humbur të drejtën për një vend në një kamp.
“Disa prej tyre janë përpjekur për ditë të regjistrohen, por ka vetëm një komisariat policor që merret me regjistrimin i cili nuk ka kapacitet për të përpunuar të gjithë të ardhurit dhe kështu ata dalin jashtë afatit”, shpjegoi Sijariç.
Gjendja e tyre u përkeqësua pasi Ministria e Punës dhe Punësimit më 4 nëntor lëshoi një letër të hapur për të gjitha OJQ-të aktive në këtë fushë duke ndaluar shpërndarjen e ushqimit dhe rrobave nga ana e tyre te emigrantët jashtë kampeve të ligjshme, sidomos në territorin e Beogradit.
OJQ-të nuk japin më ushqime apo veshje, arsye për të cilën shumë njerëz si Joani kanë mbetur pa mbështetje.
“Ekziston ideja se nëse nuk shpërndahet ushqim apo veshje, nuk do të ketë emigrantë në park, por nuk funksionojnë gjërat kështu,” tha Sijariç për BIRN.
“Problemi është se të gjitha kampet janë plot dhe ata njerëz nuk kanë ku të shkojnë, ndaj ky vendim nuk zgjidh asgjë. Njerëzit vazhdojnë të vijnë, problemi mbetet i njëjtë, ndryshimi është se shumë prej tyre tani janë edhe pa strehë dhe pa ushqim,” paralajmëroi ajo.
Ajo e kupton dëshirën e zyrtarëve për të larguar njerëzit nga parqet e qytetit teksa kushtet janë të këqija, por Hungaria vazhdon t’i përmbahet kuotave strikte, ndërsa Beogradi është bërë i mbipopulluar me refugjatë që nuk kanë nga të shkojnë.
“Politika ‘pa ushqim nuk ka emigrantë’ nuk po funksionon,” thotë Sijariç. “Ata po shpresonin që njerëzit të mos vazhdonin të vinin nëse ne nuk i ndihmojmë. Por shiko tani – nuk ka ushqim dhe njerëzit vazhdojnë të vijnë,” përfundoi ajo.
Megjithatë, Ivan Gerginov nga Komisariati serb për Refugjatët tha për BIRN se pretendimet se kampet e refugjatëve në Serbi janë plot dhe se nuk mund të pranohen më njerëz, nuk janë të vërteta.
“Ata nuk duan të fillojnë procedurën e azilit, ndaj qëndrojnë aty ku qëndrojnë,” tha Gerginov. “Shumica me shumë gjasa për shkak se mendojnë se kjo është mënyra më e lehtë për t’u larguar nga Serbia”.
“Detyra ime është të kem 6000 vende në qendrat e strehimit dhe ne i kemi. Aktualisht kemi 1700 njerëz në qendra të përhershme dhe 3000 të tjerë në qendra tranzitore. Siç e thashë unë përfaqësoj organin që merret me këtë problem dhe konfirmoj se ne mund t’i pranojmë të gjithë ata njerëz,” shtoi Gerginov.
Sipas tij, edhe emigrantët që nuk i janë përmbajtur afatit të regjistrimit në Serbi apo që nuk janë regjistruar në stacionet policore, mund të akomodohen ende në qendrat kolektive, të regjistruar me emër dhe mbiemër.
“Ç’ka është e rëndësishme në këtë situatë është fakti se emigrantët nuk duan të lënë gjurmët e gishtave gjatë regjistrimit, sepse tremben se do të dëbohen nga një vend i BE-së [kur të arrijnë atje]”.
Gerginov shtoi se ekziston gjithashtu mundësia që emigrantët që nuk regjistrohen në polici të merren në kampe me kushtin që të regjistrohen në vazhdim.
“Nuk ka arsye përse të mbeten në rrugë,” tha Gerginov për BIRN.