Mbledhja e qeverisë në Lezhë, Rama: Kryesore, ndërtimi i akseve ‘Milot-Balldren’, ‘Shëngjin-Velipojë’ e rrugës nacionale të Torovicës
Qeveria ka zhvilluar mbledhjen e parë për vitin 2018 në qytetin e Lezhës. Në një komunikim pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rama ka folur edhe për disa vendime të miratuara në mbledhje. Sipas tij, një nga vendimet më të rëndësishme të miratuara është ai për të stimulimin e agroturizmin në të gjithë vendin.
Në fjalën e tij, Rama tha se zona e Lezhës ka mjaft shembuj frymëzues e potenciale të mëdha të cilat janë marrë si pikë reference për hartimin e programit kombëtar të agroturizmit.
Ndërkohë, shtoi më tej se subjektet që do të klasifikohen si agroturizëm, do të pajisen me certifikatë nga Ministria e Turizmit.
“Të gjitha subjektet që do të klasifikohen si agroturizëm brenda kësaj kornize të miratuar do të pajisen me certifikatë nga Ministria e Turizmit dhe më pas do të financohen. Këtu kam parasysh programet nga Bashkimi Europian.”
Kryeministri tha gjithashtu se në javët në vijim do të miratohet edhe vendimi për incentivat fiskale, për të cilat do të mbahet edhe një konferencë publike ku do të bëhet edhe lançimi i plotë i programit të agroturizmit.
Kreu i qeverisë u ndal gjithashtu edhe te zhvillimi i integruar rural, një vendim i rëndësishëm sipas tij, nëpërmjet të cilit synohet krijimi i një modeli të ri.
Rama është shprehur së do të ndërtohen edhe akset rrugore ‘Milot-Balldren dhe ‘Shëngjin- Velipojë’. Sipas tij, ndërtimi i këtyre akseve rrugore do të mundësojë integrimin në të gjithë zonën me një potencial për zhvillimin e turizmit dhe do të ofrojë mundësi të re të shpejtë transporti. Sa i takon zonës ‘Shëngjin – Velipojë’, Rama shtoi se do të ketë edhe një numër projektesh të tjera infrastrukturore që do të mbështeten nga një program i posaçëm investimesh për zhvillimin rural me përparësi turizmin.
Ndërkohë, kryeministri paralajmëroi se brenda 4 viteve do të rikonstruktohet edhe rruga e vjetër nacionale që lidh Lezhën me Shkodrën e që kalon në zonën e Torovicës. Kjo rrugë, deri në vitet 2000 kur ende nuk ishte ndërtuar autostrada Lezhë-Shkodër, përbënte aksin kryesor që lidhte dy qytetet. Pas ndërtimit të autostradës në zonën e Zadrimës, rruga e vjetër nacionale u la jashtë vëmendjes duke degraduar terësisht e si rrjedhojë duke sjellë vështirësi për banorët e zones të cilët janë të izoluar nga pikëpamja e transportit rrugor.