Mbrojtja Civile: Reshje me intensitet të lartë sot dhe nesër në disa qarqe
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dalë me një njoftim zyrtar këtë të enjte, ku ka bërë të ditur se gjatë pasdites së sotme dhe ditën e nesërme pritet të ketë reshje intensive lokale në disa qarqe.
Agjencia ka bërë të ditur se qytetet që do të preken janë kryesisht Shkodra, Lezha, si dhe Durrësi.
Ndërkohë, ka bërë të ditur gjithashtu se nga reshjet me intensitet më të ulët do të preken qarqet si Kukësi, Dibra dhe Tirana.
Njoftimi i plotë:
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), gjatë pasdites së sotme, 8 tetor, dhe ditës së nesërme, 9 tetor, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Lezhë, si dhe reshje intensive në qarkun Durrës.
Në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë kryesisht me intensitet të dobët deri mesatar.
Reshjet, të cilat në shumicën e qarqeve pritet të jenë në formë shtrëngatash, mund të shkaktojnë vërshime të ujit në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje të dherave, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave të rrezikuara, si dhe të mos kalojnë në rrugë të përmbytura.
Lutemi të ndiqni me vëmendje njoftimet zyrtare dhe udhëzimet e autoriteteve vendore dhe strukturave të mbrojtjes civile.
Në rast emergjence, telefononi numrat e emergjencë.
Më të sigurt së bashku!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.