Kosova

Jo vetëm Radoiçiqi me 11 shokë, por edhe 20 serbë në listën e kuqe të fletarrestimeve të INTERPOL-it

Agjencia Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL, ka lëshuar një fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe biznesmenin kontrovers Milan Radoiçiq dhe 11 persona të tjerë për sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator. Mirëpo, përveç tyre, në listën e kuqe të fletarrestimeve të INTERPOL-it janë edhe 20 persona me shtetësi serbe.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë, kur në orët e para të mëngjesit grupi i tij i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës. Me atë rast mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe një tjetër u plagos, ndërsa u vranë edhe tre serbë, anëtarë të grupit të armatosur të drejtuar nga Radoiçiq.

Bashkësia ndërkombëtare dhe autoritetet e Kosovës e cilësuan sulmin e grupit të armatosur serb si akt terrorist.

Edhe pse ky rast aktualisht është më aktivi, në faqen zyrtare të Interpolit, në mesin e 6,852 të arratisurve më të kërkuar, janë 20 persona me nënshtetësi serbe.

Ata të shumtën e rasteve kërkohen nga vendet e rajonit: Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina (BeH), Hungaria, por edhe Qiproja, Çekia dhe Brazili, kryesisht për kryerjen e krimeve të ndryshme, trafik droge, por edhe për vrasje të rënda.

Në listën e kuqe të lëshuar nga INTERPOL-i për autorët e krimeve më të rënda, ndodhet edhe Ertan Mujoviq (42), i cili kërkohet nga Bosnja dhe Hercegovina për krime që përfshijnë akte të paligjshme seksuale ndaj të miturve, shkruan “N1”.

INTERPOL-i lëshoi ​​një urdhër të kuq për Dushan Spasojeviqin, një ish-anëtar i forcave serbe të Bosnjës, i cili nuk u paraqit në gjyqin e tij si i dyshuar për përdhunimin e një gruaje boshnjake gjatë luftës në maj të vitit 1992.

Bosnja po e kërkon edhe Sasha Dunoviqin (48) për krime kundër njerëzimit. Ai është një ish-anëtar i Ushtrisë së Republika Srpska, i cili u akuzua për krime në Kljuç.

Gjithashtu në kërkim për krime lufte është Milojko Kovaçeviq, i cili akuzohet për rrëmbim me dhunë, torturimin, abuzimin dhe rrahjen e civilëve boshnjakë në qytetin e Donje Veletovo, në komunën e Vishegradit, në qershor të vitit 1992.

Në shkurt të vitit 2019, Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës e akuzoi Kovaçeviqin për krime kundër njerëzimit, por ai nuk mund të arrestohej sepse nuk ndodhet në Bosnje e Hercegovinë.

Dragan Marjanoviq (52), Zoran Adamoviq (60), Duka Miroslav (63), Vinko Laziq (64), Blagoje Vojvodiq (61), Çedo Bogiçeviq (52), Boshko Lukiq (83) janë në urdhër-arrestin e kuq për krime kundër njerëzimit.

Rajko Drakuliq (59) dhe Svetozar Kosoriq (70) kërkohen me akuzën për gjenocid në zonën e Srebrenicës.

Ndër të arratisurit më të kërkuar është Slobodan Kosotovski. Sipas informacioneve nga faqja e INTERPOL-it, policia braziliane ka lëshuar urdhër-arrest për Kostovskin për trafik ndërkombëtar droge.

Ivan Milovanoviq nga Uzhice, anëtar i grupit kriminal “Pantera Rozë”, për të cilin Qipro lëshoi ​​një urdhër, është kërkuar për një grabitje në Limasol, e cila ndodhi në dhjetor të vitit 2012.

Sipas portalit “N1”, ai dyshohet se ka hyrë me tre bashkëpunëtorë në një argjendari në Limasol dhe në vetëm pak minuta ka vjedhur bizhuteri dhe orë me vlerë 950 mijë euro. Sipas portalin në fjalë, Milovanoviq u arrestua në Gjermani në vitin 2016, ndonëse emri i tij është ende në uebsajtin e INTERPOL-it, transmeton Telegrafi.

Më i riu në listën e kërkuar të INTERPOL-it është Jovan Bjelotomiq (27), i cili akuzohet për grabitje të bankës.

Ndër të arratisurit më të kërkuar me shtetësi të dyfishtë është një grua – Slobodanka Toshiq, e cila kërkohet si anëtare e një organizate kriminale dhe për vrasje.

Slobodanka Toshiq u dënua në mungesë, sepse, si anëtare e grupit të Darko Elez, ajo ndihmoi në tentimin e vrasjes së Gjorgje Zhdralit në vitin 2006 në lagjen Vranjesh, në Lukavicë afër Sarajevës.

Ajo është personi më i famshëm në këtë listë, duke qenë ish-Miss Fotogenia e BeH dhe lepurushe e Playboy. Toshiq u dënua me dy vjet e gjysmë burg për bashkëpjesëmarrje dhe u arrestua në një operacion policor “Kukulla”, por arriti të arratisej. /Telegrafi/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button