Me rastin e 1 Nëntorit: Një homazh për ditën e Rilindasve bullgare
Selim Hoxhaj
Konsull Nderi i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri
1 Nëntori festohet çdo vit, si Dita e Rilindasve bullgarë. Kjo festë kombëtare i kushtohet punës së mendimtarëve, shkrimtarëve, arsimtarëve, luftëtarëve për çlirimin kombëtar dhe të gjithë atyre që kanë ruajtur ndër shekuj vlerat shpirtërore të kombit bullgar. Për herë të parë u festua në Plovdiv në vitin 1909. Qëllimi i kremtimit të saj është për të mbajtur gjallë veprën e Shën Ivan Rilski, vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, Gjon Ekzarku, Patriarku Euthymius, heronjtë e Rilindjes Bullgare-Paisii Hilendarski, Sofroniy Vrachanski, Georgi Rakovski, Petar Beron, Lyuben Karavelov, Vasil Levski, Hristo Botev, Grigor Parlichev, etj. mendimtarëve të cilët frymëzuan popullin bullgar për arritjen e pavarësisë dhe zhvillimin e tij.
Më 13 dhjetor 1922, Asambleja Kombëtare miratoi një ligjin, sipas të cilit: “1 nëntori të festohet si një festë kombëtare e bullgarëve të merituar. Të bëhet një festë kombëtare e përhershme në kujtim të të gjithë punëtorëve për shtetasin bullgar dhe fuqizimin e prosperitetin kulturor arsimor… ”. Propozimi për këtë festë u bë nga Qeveria e Aleksandër Stamboliskit më 31 tetor 1922. Iniciatori i ndryshimit ishte Ministri i atëhershëm i Arsimit Kombëtar, Stojan Omarçevski. Më 1 nëntor 1923, me dekret të Car Boris III, u shpall një Festë Kombëtare.
Që nga viti 1945, festa u ndalua nga autoritetet komuniste, por kjo ditë u ruajt në kujtesën e popullit bullgar. Më 28 tetor 1992, me miratimin nga Asambleja e 36-të Kombëtare, tradita e festës rifillon dhe tani 1 Nentori është një homazh i përvitshëm për bijtë bullgarë të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për të ruajtur identitetin, gjuhën dhe kulturën e popullit bullgar.
Në këtë 1 Nentor 2020, një homazh i madh shkon për përfaqësusin e spikatur të aspiratave të popullit ndaj lëvizjes nacionalçlirimtare bullgare, murgun Athos Paisii Hilendarski. Ai përshkruan historinë e popullit Bullgar, historikisht vërteton të drejtën e tyre për liri dhe ngjall impulse patriotike dhe luftarake në bashkatdhetarët e tij. Në 1762 ai shkroi veprën e tij të famshme “Histori Sllavo-Bullgare”. Libri është një lloj thirrje drejtuar bullgarëve për ndërgjegjësim kombëtar dhe luftë kundër skllavëruesve Otoman. Ndjekësi i zellshëm i Paisi Hilendarski ishte Sofroniy Vrachanski, autori i librit të parë të shtypur në Bullgari, botuar në 1806 me titull “Javore”. Ai bën thirrje që arsimi, adhurimi dhe letërsia të jenë në gjuhën e folur Bullgare në mënyrë që ato të jenë të arritshme për të gjithë duke synuar të ndërtojë një vetëdije të qëndrueshme të kombësisë bullgare midis njerëzve.
Një homazh i madh shkon për Ivan Vazov, “patriarku i letërsisë bullgare”, një akademik i Akademisë Bullgare të Shkencave dhe Ministër i Arsimit Publik nga 7 shtator 1897 deri më 30 janar 1899. Një homazh shkon për Vasil Levskin ideologun gjenial dhe strategun politik të lëvizjes çlirimtare bullgare; për Hristo Botevin, poetin, publicistin dhe revolucionari dhe mbështetësin e flaktë të idesë së bashkimit të të gjithë popujve ballkanas në një bashkim vëllazëror; për dr. Peter Beron-autorin e abetares së pare bullgare; për ikonografin e shquar Zaharij Zograf dhe shumë botues të librave, njerëz të penës, mendimtarë dhe frymëzues të Rilindjes Kombëtare Bullgare dhe të ndërgjegjes qytetare.
Ndër veprimtarët e shquar të Rilindjes Bullgare, janë dhe luftëtarët për liri, mijëra luftëtarë të njohur dhe të panjohur, aktivistë dhe vojvodë të lëvizjes së organizuar revolucionare, siç janë: Haxhi Dimitër dhe Stefan Karaxha, Panajot Volovi dhe shumë të tjerë. Ndër iluministët më të mëdhenj shpirtërorë të popullit bullgar janë dhe shkrimtarët e poetët bullgarë Petko Sllavejkov, Penço Sllavejkov, Pejo Javorov, Dimko Debeljanov, Hristo Smirnenski, Simeon Radevi, Nikolla Vapçarov, Dimitër Talev etj. Janë gjithashtu dhe mijëra murgj, mësues, historianë, të cilët jetën dhe veprimtarinë e tyre ia kushtuan zgjimit dhe përparimit të popullit.
Ne këtë mënyrë, 1 Nëntori është kthyer në një nga ditët më të festuara të shpirtit dhe vetëdijes bullgare, është bërë simbol i zgjimit shpirtëror, që fillon me lëvizjet e fuqishme për pavarësi kishtare dhe arsim të ri bullgar gjatë epokës së Rilindjes Bullgare. Këto lëvizje kontribuan në luftrat e popullit bullgar për pavarësi politike. Të gjithë klerikët, mësuesit, veprimtarët shoqërore dhe revolucionarët punuan për pavarësinë fetare, arsimuese, kulturore dhe politike të bashkatdhetarëve të vet. Më 1 Nëntor çdo bullgar, pavarësisht nga fakti se ku ndodhet – në atdhe ose diku nëpër botë-bën bilancin e vet se cili është kontributi i tij për ruajtjen e= shpirtit bullgar. Iluministët dhanë shembullin e vet, kurse brezat e sotëm kanë detyrën ta ruajnë atë që është arritur dhe ta çojnë më tej, sepse vetëm lartësimi shpirtëror mund ta ruajë identitetin e popujve.
Prej 13 vitesh ipet çmimi “Ithtari i iluministëve bullgarë” për studius, autorë, të kulturës dhe traditës bullgare. Akademiku Georgi Markov, studiuesi i historisë bullgare është mbajtës i çmimit “Ithtari i iluministëve bullgarë”-2019. Ai thotë se “Për mua bota shpirtërore është më e rëndësishme se sa ajo materiale, sepse bota materiale është diçka që kalon, ajo nuk është e përjetshme. Unë gëzohem shumë se tani përsëri u bë traditë festimi i Ditës së Rilindasve bullgare. Pa ta ne nuk do të mund mbijetonim si popull, sepse ne bullgarët jemi të prirë për t’u asimiluar. Në saje të iluministëve tanë ne ndihemi si një popull i tërë me një histori shumëshekullore dhe prandaj e kemi të drejtën e një të ardhmeje më të mirë si komb. Unë gëzohem se ne, pasuesit e të ashtuquajturave “iluministë”, jemi trashëgimtarë të stërgjyshërve tanë, të cilët në kohërat e vështira kanë pasur optimizëm historik”.
Kur përkujtojmë veprimtarët e shquar të Rilindjes Kombëtare Bullgare, mendja na shkon edhe tek veprimtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, tek ideologët dhe veprimtarët e shquar të cilët u ndikuan nga Rilindja Bullgare si: Naum Veqilharxhi, Zef Jubani; aktivistet e Komitetit të Stambollit dhe të Lidhjes së Prizrenit, si vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, veprimtarët e shoqatave kulturoro-arsimore të kolonisë shqiptare në Bullgari (“Dëshirës“ në Sofje), Rumani dhe Egjipt, patriotët dhe demokratët e shquar nga fillimi i shekullit të 20-të, si Ismail Qemali, Fan Noli, Bajo Topulli, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina etj.
Në këtë 1 Nentor, në këtë ditë të Festës Kombëtare të popullit bullgar nuk mund të lëmë pa përmëndur marrëdhëniet e mira që kanë ekzistuar dhe ekzistojne edhe sot midis dy qeverive dhe popujve tanë. Bullgaria ka qënë nder vendet e para që ka njohur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.
Ja si shkruan organi i qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit “Përlindja e Shqipërisë” më 6 nëntor 1913: “Me kënaqësi të jashtëzakonshme po shënojmë se shteti i parë i cili tregoi një miqësi të vërtetë ndaj Shqipërisë është Bullgaria. Në fakt që në Konferencën e Londrës ajo u shpreh në dobi të Shqipërisë edhe para Fuqive të Mëdha. Populli shqiptar nuk do të harrojë kurrë se si Shqipëria ishte dhe vazhdon të përkrahet nga Bullgaria në një moment kur populli shqiptar ka nevojë për përkrahje…”