Me rastin e festës Kombëtare të Bullgarisë: 3 Marsi – historia dhe koha e sotme
Lufta çlirimtare për Bullgarinë është një vazhdim logjik i rilindjes kombëtare bullgare dhe i luftërave për pavarësinë e popullit bullgar nga sundimi pesëshekullor osman.
Selim Hoxhaj
Konsull Nderi i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë
Më 3 mars, Bullgaria shënon Festën e saj kombëtare. Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua Marrëveshja e paqes, e cila i dha fund Luftës Ruso-turke. Lufta çlirimtare për Bullgarinë është një vazhdim logjik i rilindjes kombëtare dhe i luftërave për pavarësinë e popullit bullgar në kohën e sundimit pesëshekullor osman. Karakteristike për këto luftëra është, se ëndrra për pavarësi gërshetohet me ide të ndikuara nga Revolucioni i madh francez-për rregullim demokratik të shtetit të ardhshëm. Heroizmi i popullit gjatë Kryengritjes së prilli të vitit 1876 e bënë çështjen bullgare ndërkombëtare. Në mbrojtje të bullgarëve u ngritën personalitete si ViktorHygo, Dostojevski dhe Oskar Uajld, politikanë të shquar si Xhuzepe Garibaldi dhe lideri i liberalëve britanikë Uiljam Gladstoun.
Në fund të vitit 1876 në Stamboll u thirr një konferencë, ku të dërguarit e fuqive të mëdha evropiane i propozuan Perandorisë osmane t’i japë Bullgarisë autonomi të gjerë. Refuzimi i qeverisë osmane çoi në ndërhyrjen e Rusisë, e cila në prill të vitit 1877 i shpalli luftë Turqisë. Ofensiva filloi në dy fronte: në Kaukaz dhe në Ballkan. Përfshirja e Rumanisë në luftë në anën e Rusisë u dha mundësi ushtrive ruse të kalojnë lumin Danub dhe të depërtojnë në jug në territoret bullgare. Krahas ushtrisë ruse luftuan dhe vullnetarët bullgarë. Popullsia bullgare ndihmoi për furnizimin e rusëve, për kalimin e tyre nëpër rajonet e vështira malore, mblidhte të dhëna të zbulimit, etj.
Perandoria osmane u përgjigj me një ushtri madhështore për kohën e saj, e armatosur dhe e stërvitur në mënyrë moderne. Një prej betejave më të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të veprimeve luftarake ishte për grykën Shipka në malin Stara Planina. Aty në muajin gusht një repart i ushtrive ruse bashkë me vullnetarët bullgarë luftuan kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, e cila dominonte për nga numri i saj. Por rusët dhe bullgarët demonstruan heroizëm të paparë dhe mbrojtën grykën që kishte rëndësi vendimtare për luftën.
Një përfundim të suksesshëm kishte edhe një beteje tjetër e rëndësishme-ajo për qytetin Pleven në Bullgarinë Qendrore Veriore. Pas sulmeve heroike dhe rrethimit të vazhdueshëm nga ana e ushtrive ruse dhe rumune në fund të nëntorit të vitit 1877 Pleveni ra dhe asgjë tjetër nuk ishte në gjendje të ndaloi sulmin e çlirimtarëve. As acari i tmerrshëm, as rrugët e pakalueshme malore. Trupat ruse, të ndihmuar nga popullsia vendase kaluan malin, befasuan dhe shpartalluan njësitë turke në operacionet vendimtare pranë Sofjes, Shipka- Shejnovo dhe Plovdivit.
Më 3 mars 1878, në Shën Stefan, pranë Stambollit, u nënshkrua marrëveshja paraprake e paqes, e cila u dha pavarësi trojeve me popullsi dominuese bullgare. Katër muaj më vonë nën presionin е fuqive perëndimore Marrëveshja e Shën Stefanit u ndryshua nga Kongresi i Berlinit në korrik të vitit 1878. Kështu nga Bullgaria Veriore dhe qarku i Sofjes u krijua Principata “Bullgaria”. Trojet në jug të malit Stara Pllanina nën emrin Rumelia Lindore u veçuan në një krahinë autonome në Perandorinë osmane. Trojet në Maqedoni dhe Trakinë e Endrinës për shumë vite mbetën nën pushtetin e drejtpërdrejtë të Portës së Lartë. Kauza e përgjithshme evropiane për të drejtat e bullgarëve, e cila i dha shtytje Luftës çlirimtare përcaktoi dhe rezultatet e mira përfundimtare pas saj. Një vit pas çlirimit Principata “Bullgaria” miratoi Kushtetutën e saj-një prej më demokratikeve për Evropën e atëhershme. Në rrugë demokratike zhvillohej dhe Rumelia Lindore, e cila në vitin 1885 u bashkua me Principatën “Bullgaria”. Për Bullgarinë filluan vitet e modernizimit dhe vrullit në sferat e ekonomisë, shkencës dhe kulturës.
Interesante është të ndalemi pak edhe te simbolet e shtetit bullgar.
Një vit pas Çlirimit, në vitin 1879 në kryeqytetin e vjetër bullgar Veliko Tërnovo, zhvilloi punime Kuvendi themelues popullor mbi hartimin e Kushtetutës së shtetit të ri bullgar. Më 22 mars pas debateve të vrullshme deputetët e pranishëm pranojnë një zëri propozimin e zëvendëskryetarit të Kuvendit popullor Todor Ikonomov, për të përfshirë Stemën shtetërore bullgare në nenin 21 të Kushtetutës së Tërnovos. Ai thotë: “Stema shtetërore bullgare është një luan i artë me kurore në sfond të kuq të errët. Mbi këtë fushë është edhe një kurorë e princit”. Disa vite më vonë, pasi udhëheqës i shtetit bëhet princi Aleksandër I Batenberg, u bë një ndryshim-pranë simbolit shtetëror tashmë të afirmuar shtohet mbishkrimi “Bashkimi bën fuqinë”.
Deri në fund të Luftës së Dytë botërore stema ndryshohet disa herë. Në kohën e qeverisjes komuniste hiqen kurorat, shtohen duaj gruri, një yll me pesë cepa ngjyrë kuqe vihet mbi luanin, ndërsa poshtë shkruhet data e fillimit të ndryshimeve komuniste: 9.09.1944. Në fillim të viteve 70 shtohet data e themelimit të shtetit bullgar: 681. Pas ndryshimeve demokratike në fund të viteve 80 thirret Kuvendi i VII i Madh popullor me të vetmen detyre -të përpunohet një kushtetutë e re. Ajo hyri në fuqi zyrtarisht me 13 korrik të vitit 1991. Pas 6 vjetësh u miratua dhe stema e re, e cila ka një luan me kurore në sfond të kuq të errët në formën e mburojës. Mbi mburojën ka një kurore e madhe, mburoja mbështetet nga dy luan të artë me kurore, të vendosur mbi degëza lisi, mbi të cilat është vendosur një shirit i bardhë me mbishkrimin “Bashkimi bën fuqinë”.
Fakt interesant është edhe simboli tjetër kryesor i shtetit bullgar-flamuri. Kur në vitin 1879 Kuvendi themelues popullor miraton stemën e shtetit të ri, në nenin 23 të Kushtetues shënohet se “Flamuri kombëtar bullgar është me tre ngjyra-e bardha, jeshilja dhe e kuqja, të vendosura horizontalisht”. Në këtë pamje flamuri ekziston deri në ditët tona pa asnjë ndryshim. Vetëm në mesin e viteve 40, kur Bullgaria ishte shteti i parë me qeverisje komuniste, në të vendoset stema, e cila pas viteve 90 është hequr.
Himni është element i detyrueshëm i simbolikës kombëtare. Himni i parë i Bullgarisë së porsaçliruar është kënga “Buçet lumi Marica”. Ajo është krijuar në vitin 1876 nga mësuesi Nikolla Zhivkov. Eshtë kënduar nga çetat vullnetare bullgare gjatë Luftës çlirimtare dhe frymëzoi bullgarët edhe në kohën e Luftës serbo-bullgare në vitin 1885. Në vitet e komunizmit himni është zëvendësuar nga marshi partiak “Republikë jonë, tungjatjeta!”. Në fillim të viteve 60 poeti Georgi Xhagarov nisi një polemikë për zëvendësimin e këtij himni me këngën e vjetër patriotike “O Atdhe i dashur”. Ajo është vepër e bullgarit Cvetan Radosllavovit i cili në vitin 1885 kthehet nga jashtë shteti për të marrë pjesë në Luftën serbo-bullgare dhe ne lidhje me këtë shkruan këngën. Ekzekutimi i parë i himnit të ri të Bullgarisë socialiste ishte në vitin 1964. Pas ndryshimeve demokratike Kuvendi i VII i Madh popullor duke punuar mbi Kushtetutën e re të shtetit, diskutoi dhe shumë propozime për himn të ri, por shumica parlamentare miratoj këngën “O Atdhe i dashur”.
Aktualisht për afro 15 vjet, Bullgaria është antare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Eshtë një vend mik me Shqipërinë dhe në momentet më të rëndësishme historike ka qënë përkrah shqipërisë. Bullgaria është nga vendet e para në botë që ka njohur shtetin e ri shqiptar të krijuar në vitin 1912, një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e shtetin e ri të Kosovës dhe aktualisht një mbështetës i vendorur për hapjen e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.