Më shumë se 38 000 refugjatë ukrainas ndodhen në Bullgari
“Aktualisht në Bullgari ka mbi 38 mijë refugjatë nga Ukraina”, tha në Kuvendin Popullor Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për Refugjatët, Petja Përvanova. Sipas saj, problem mbetet sigurimi i përkthyesve dhe mbështetja logjistike.
“Qytetarët që vijnë nga Ukraina gëzojnë të drejtën e tyre për një qëndrim ligjor 90-ditor. Ata vetë nuk janë të sigurt nëse duan të aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare apo të përkohshme”, shpjegoi Petja Përvanova.
“Detyra kryesore e grupit koordinues për refugjatët ukrainas është në tri fusha – pritje, akomodim dhe transport”, tha në parlament Shefi i Shtabit për Akomodimin e Refugjatëve nga Ukraina Valeri Raçev. Sipas tij, një tjetër synim i rëndësishëm është krijimi i kushteve për integrimin e njerëzve në shoqëri dhe biznes në vendin tonë.
Disa qytetarë bullgarë nga Berdjansk u evakuuan përtej vijës së frontit. Evakuimi ishte shumë i vështirë, por i suksesshëm, tha për bTV Anton Markov, kreu i Qendrës Urgjente në Ministrinë e Jashtme.
Konsulli bullgar në Bukuresht, Ivajllo Marinov, i tha BNT se trenat nga Ukraina që transportojnë refugjatë lufte po vazhdojnë të mbërrijnë. Për momentin nuk ka asnjë bullgar që pret në kufi. Ukrainasit që shpërngulen në Bullgari kanë të afërm në vend, por ka edhe azilkërkues. Konsulli rekomandoi që vullnetarët që dëshirojnë të ndihmojnë refugjatët fillimisht të kontaktojnë Qendrën Emergjente në Ministrinë e Jashtme dhe të presin në kufirin bullgar.