Mediat serbe: Hashim Thaçi po kërkon luftë
Gazeta Blic nga Beogradi ka publikuar një shkrim, në të cilin ka intervistuar politikanë dhe ekspertë të çështjeve politike e të sigurisë në Serbi, në lidhje me deklaratën e Hashim Thaçit se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid.
Si përfundim, e përditshmja del me titullin e ashpër “Hašim Tači hoće rat”. këtij shkrimi ia ka ngjitur një fotografi të ish-shefit politik të UÇK-së, nga koha e luftës.
Politikanë dhe ekspertë të marrëdhënieve dhe të drejtës ndërkombëtare në Beograd, kanë thënë që ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po kërkon luftë, pas deklaratës se Kosova do të ngrisë padi ndaj Serbisë.
Për më tepër, deklarata e ministrit të jashtëm nga Prishtina, është komentuar nga ta edhe si demonstrim i qasjes dhe raportit të tij armiqësor ndaj Serbisë.
“Kosova nuk mund ta padisë Serbinë, në radhë të parë për shkak se nuk ka për çfarë ta padisë, por edhe për shkak se Kosova nuk është shtet”, ka thënë shefi i zyrës për Kosovë e Metohi në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, njofton “Blic”, transmeton Klan Kosova.
Sipas tij, Thaçi, me temën e gjenocidit, po i kontribuon mosnormalizimit të raporteve, gjë që, siç shtoi ai, dëshmon se Prishtina nuk është e interesuar për dialog, por se këtë e bën pasi është e detyruar nga ndërkombëtarët.
Drejtori i Qendrës për Alternativa Strategjike, Dushan Prorokoviq vlerëson se për këtë deklaratë, Thaçi do të paguajë një çmim të madh, në afat më të gjatë, pasi e pamundëson marrëveshjen Prishtinë-Beograd për normalizimin e raporteve, e cila do ta hapte rrugën e Kosovës për anëtarësim në OKB.
Si përfundim, Blic nxjerr titullin “Hašim Tači hoće rat”, që në shqip do të thotë “Thaçi po kërkon luftë”, pasi me deklaratat e tij po dëshiron të pengojë dialogun dhe normalizimin e raporteve me Serbinë.