Merkel: Marrëdhëniet tona me Turqinë të koklavitura, Ankaraja t’i lirojë të burgosurit gjermanë
Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bërë thirrje sot Turqisë t’i lirojë qytetarët gjermanë të kapur pas tentim-puçit të dështuar, duke e quajtur të pajustifikuar burgosjen e tyre.
Turqia i ka arrestuar rreth 10 gjermanë në muajt e fundit për akuza të cilat qeveria gjermane i konsideron të dyshimta, transmeton Express.
Duke i përmendur me emër gazetarin turko-gjerman Deniz Yucel, si dhe disa të tjerë, Merkel u ka thënë gazetarëve: “Kërkesa jonë është shumë e qartë: ata që janë burgosur duhet të lirohen”.
Arrestimet kanë kontribuuar në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Berlinit dhe Ankarasë, të cilat po ashtu janë tensionuar nga çështje tjera.
“Marrëdhëniet tona me Turqinë janë në një fazë shumë të koklavitur”, ka thënë ajo.
“Do të donim të kishim marrëdhënie më të mira, por kjo ka të bëjë më përmbushjen e parimeve të sundimit të ligjit,” ka shtuar Merkel.